Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka uruar Shkëndijën e Haraçinës dhe KF Kamjanin për sukseset e arritura këtë fundjavë në futbollin vendor, raporton Zyrtare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kasami vlerësoi se fundjava ka qenë historike për futbollin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke përmendur ngjitjen e Kamjanit në Ligën e Dytë dhe kualifikimin e Shkëndijës së Haraçinës në Ligën e Parë.
“Kjo fundjavë qenka rezervuar për të shkruar histori në futbollin vendor. Pas KF Kamjanit, e cila shkroi historinë me inkuadrimin në Ligën e Dytë, sot, mes shumë e shumë emocioneve, Shkëndija e Haraçinës bëhet pjesë e Ligës së Parë në futbollin vendor. Urime për Kamjanin! Urime për Haraçinën! E ëndërruar dhe e realizuar pas një dekade!”, ka shkruar Kasami.
Shkëndija e Haraçinës siguroi promovimin historik në elitën e futbollit vendor pasi mposhti Pelisterin në ndeshjen e balotazhit të zhvilluar në Kavadar, ndërsa KF Kamjani shkroi historinë e saj duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në Ligën e Dytë.
Sukseset e dy skuadrave janë përshëndetur gjerësisht nga personalitete politike, sportive dhe tifozë, të cilët i kanë cilësuar si arritje të rëndësishme për futbollin shqiptar në vend.

