Bibliotekat publike po shtohen, ndërsa ato të specializuara po pakësohen. Për veprimtarinë bibliotekare janë realizuar 22.34 milionë denarë, por ajo mbetet ndër fushat me financimin më të ulët në Programin vjetor të MKT-së
Evis HALILI
Shkup, 13 shtator – Rrjeti bibliotekar në Maqedoninë e Veriut po ndryshon. Të dhënat më të reja të Entit Shtetëror të Statistikës për vitin 2025 tregojnë se numri i përgjithshëm i bibliotekave është rritur, por njëkohësisht një pjesë e rëndësishme e tyre, bibliotekat e specializuara, po shënojnë rënie. Sipas statistikave zyrtare, në vitin 2025 në vend janë regjistruar gjithsej 170 biblioteka, kundrejt 160 në vitin 2022. Por pas kësaj rritjeje fshihet një ndryshim i rëndësishëm në strukturën e rrjetit. Numri i bibliotekave të specializuara ka rënë nga 46 në 40, ose rreth 13 për qind, ndërsa bibliotekat publike janë rritur nga 40 në 50, një rritje prej 25 për qind.
Bibliotekat publike në vitin 2025 kanë pasur rreth 30 mijë anëtarë të regjistruar dhe mbi 33 mijë përdorues. Në to janë përdorur rreth 421 mijë libra dhe broshura, ndërsa fondi i tyre përmban më shumë se 1.07 milionë kopje librash dhe broshurash. Vetëm gjatë vitit 2025 fondi është pasuruar me 291.708 kopje të reja. Shifrat tregojnë se bibliotekat vazhdojnë të kenë përdorues dhe një rol konkret në jetën kulturore dhe arsimore. Sa i takon financimit, sipas raportit të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për realizimin e programit për vitin 2025, për veprimtarinë bibliotekare janë realizuar gjithsej mbi 22 milionë denarë. Prej tyre, mbi 18 milionë denarë janë realizuar për institucionet kombëtare, mbi 2 milionë denarë të tjera për institucionet lokale, ndërsa pjesa tjetër për përdorues të tjerë buxhetorë, shoqata të qytetarëve dhe persona fizikë.
Krahasimi i këtyre shifrave me strukturën e rrjetit tregon një dallim të dukshëm. Ndërsa numri i bibliotekave publike është rritur në 50, pjesa e financimit të realizuar për institucionet lokale mbetet dukshëm më e vogël se ajo e institucioneve kombëtare. Në praktikë, kjo do të thotë se krahas pasurimit të fondit me libra të rinj, bibliotekat kanë nevojë edhe për staf profesional, pajisje, teknologji, digjitalizim, mirëmbajtje dhe hapësira funksionale. Një tjetër ndryshim që bie në sy është rënia e bibliotekave të specializuara. Nga 46 të regjistruara në vitin 2022, në vitin 2025 numri i tyre ka zbritur në 40. Rëndësia e tyre nuk lidhet vetëm me numrin e institucioneve, pasi këto biblioteka ofrojnë literaturë dhe burime të specializuara për fusha profesionale, shkencore dhe institucionale.
Nga ana tjetër, rritja e bibliotekave publike nga 40 në 50 është një zhvillim pozitiv. Por numri i institucioneve nuk tregon i vetëm cilësinë e shërbimeve. Për përdoruesit rëndësi kanë edhe librat e rinj, kushtet e hapësirave, stafi, teknologjia dhe mundësia për të marrë shërbime të përshtatura me nevojat e kohës. Në vitin 2022, statistikat zyrtare regjistronin gjithsej 160 biblioteka: një bibliotekë kombëtare, 67 biblioteka universitare, 46 biblioteka të specializuara, një bibliotekë të përgjithshme shkencore, pesë biblioteka të institucioneve kombëtare dhe 40 biblioteka publike. Në vitin 2025 numri i përgjithshëm ka arritur në 170, por përbërja e rrjetit ka ndryshuar.
Kështu, të dhënat e fundit japin një pamje me dy anë: bibliotekat publike po shtohen dhe fondet e tyre po pasurohen, ndërsa bibliotekat e specializuara po pakësohen. Në të njëjtën kohë, financimi i veprimtarisë bibliotekare arrin mbi 22 milionë denarë, me pjesën më të madhe të mjeteve të realizuara për institucionet kombëtare. Nga ana tjetër, statistikat tregojnë më shumë se vetëm numrin e bibliotekave. Ato tregojnë një rrjet që po ndryshon dhe një sistem ku krahas numrit të institucioneve, gjithnjë e më shumë rëndësi kanë cilësia e shërbimeve, kushtet në të cilat funksionojnë bibliotekat dhe mënyra se si investohet në to. (koha.mk)

