Besianë Musmurati emërohet nënkryetare e Komunës së Prishtinës

2 Min. Leximi

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka emëruar Besianë Musmuratin nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nënkryetare të komunës.

Rama këtë e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.
Sipas tij, po fillojnë një bashkëpunim të ri politik në Kryeqytet edhe me Partinë Demokratike të Kosovës me qëllim zhvillimin e Prishtinës, për të mirën e qytetarëve të saj dhe të Kosovës.

“Zotohemi për qeverisje që tejkalon interesat partiake, duke vënë në dispozicion kapacitetet profesionale dhe njerëzore për realizimin e projekteve strategjike në dobi të qytetarëve dhe të mirës publike. Nga sot, Besianë Musmurati emërohet në pozitën e Nënkryetares së Kryeqytetit, duke sjellë me vete përvojë të gjerë institucionale dhe ndërkombëtare.Me një angazhim mbi një dekadë në fusha si diplomacia, politika publike dhe menaxhimi institucional, ajo ka kontribuar në avancimin e proceseve vendimmarrëse dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Rama.
Tutje Rama tha se: “Përvoja e saj në Kryeqytet, veçanërisht në drejtimin e Arsimit, ka lënë gjurmë në përmirësimin e cilësisë dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit.I urojmë suksese në këtë përgjegjësi të re, në shërbim të qytetarëve të Kryeqytetit”.
Ndërkaq, nga ana tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas deklaratës së fundit të Uran Ismailit, duke mohuar se ekziston ndonjë marrëveshje me PDK-në apo me ndonjë subjekt tjetër politik për bashkëqeverisje në Prishtinë.

Në një komunikatë të publikuar në Facebook, LDK ka thënë se nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për arritjen e një marrëveshjeje të tillë.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull