Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar në lidhje me zhvillimet mbi hyrjen e shumë mjeteve ajrore pa pilotë (dronë) në hapësirën ajrore të Polonisë, transmeton Anadolu.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Begaj shkruan se “Shqipëria dënon shkeljen e hapësirës ajrore të Polonisë nga Rusia”.
“Ne shprehim solidaritetin tonë të plotë me Poloninë dhe mirëpresim reagimin e saj, në koordinim me NATO-n, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm”, ka theksuar Begaj.
Begaj ka shtuar se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj unitetit të Aleancës dhe sipas tij sigurimit të mbrojtjes kolektive të të gjithë aleatëve.
Në lidhje me çështjen në fjalë më parë ka reaguar edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, duke theksuar se qëndrojnë në solidaritet të plotë me Poloninë.
Kujtojmë se zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, njoftoi se shumë dronë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë gjatë natës.
Ajo deklaroi se sistemet e mbrojtjes ajrore polake dhe të NATO-s reaguan së bashku dhe se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është në kontakt me udhëheqjen polake dhe po zhvillon konsultime të ngushta.
Në një deklaratë nga Polonia lidhur me çështjen thuhet se dronët në fjalë shkelën hapësirën ajrore gjatë sulmeve që Rusia kreu ndaj objektivave në Ukrainë.