BE-ja e konsideron prioritet rundin e ri të dialogut Kosovë-Serbi

2 Min. Leximi

Bashkimi Evropian (BE) e konsideron prioritet organizimin e raundit të ri të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel kryenegociatorësh.

Por, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nuk dha ndonjë datë për një takim të tillë, duke thënë se data do të bëhet publike në një kohë të përshtatshme.

- Advertisement -

Një ditë më parë, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se do të qëndrojë në Prishtinë për të përgatitur rundin e ri të dialogut, duke mos dhënë më shumë detaje. “Si zakonisht, takimet i paralajmërojmë kur të jetë e përshtatshme. Takimet në nivel të kryenegociatorëve nuk i paralajmërojmë zakonisht për media. Por, pa dyshim qëllimi ynë është që sa më parë të kemi takim në nivel kryenegociatorësh sepse ka një varg çështjesh për të diskutuar”, tha Stano.

- Advertisement -

Gjatë konferencës për medie në Bruksel, Stano u pyet lidhur me mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe nga Kosova javën e kaluar.
Ai përsëriti qëndrimin e shprehur nga blloku se këto veprime janë të njëanshme dhe të pakoordinuara, me potencial të rritjes së tensioneve.

Edhe Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kritikuar veprimet e Kosovës në veri.

Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se institucionet e mbyllura në veri të Kosovës punonin nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Përveç pesë institucioneve të mbyllura të premten e kaluar, në prill autoritetet e Kosovës mbyllën edhe shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë të tjera të Kosovës.

Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.

Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.

Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull