Sot, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shkaktoi reagime të forta në opinionin shqiptar duke marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të ditëlindjes së Goce Dellçevit.
Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, gjatë vendosjes së kurorës me lule tek varri i Dellçevit, deklaroi se në Maqedoni duhet të festohet “Dellçevizmi” si një ide fisnike.
Ky veprim ka ngjallur indinjatë tek qytetarët shqiptarë, të cilët e shohin Dellçevin si një figurë që ka luftuar vetëm për interesat e bashkësisë së tij etnike në fillim të shekullit të kaluar.
Ngjarja e sotme ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku qytetarët shqiptarë e kanë cilësuar këtë veprim si një “tradhti” dhe një “provokim të rëndë” ndaj historisë dhe sakrificave të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Sipas shqiptarëve kjo lëvizje e BDI-së është një përpjekje e saj për të fituar pikë politike në qarqet maqedonase, duke sakrifikuar interesin dhe ndjenjat e elektoratit të saj shqiptar.
Mbetet për t’u parë nëse ky veprim do të ndikojë në mbështetjen e BDI-së në zgjedhjet e ardhshme.