Fotografia e djeshme e Prokurorit të Përgjithshëm, Lupço Kocevski dhe ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski, duke nënshkruar një memorandum për bashkëpunim në luftën kundër korrupsionit, ishte një ironi e hidhur për drejtësinë dhe simbol i shtetit të kapur.
Kështu thuhet në reagimin e BDI-së, sipas të cilës, në vend të atij duarshtrengimi, ajo pamje duhej të ishte një skenë hetimi, ku ministri i Brendshëm jep llogari për rolin e tij në tragjedinë e Koçanit.
“Për më shumë se një vit, një klub nate funksionoi pa licencë, me dijeninë e plotë të zinxhirit komandues të policisë lokale. Pavarësisht paralajmërimeve të brendshme për shkeljet e rënda, përfshirë praninë e të miturve, përdorimin e drogës dhe materialeve piroteknike, asnjë veprim nuk u ndërmor. Kjo neglizhencë çoi në humbjen tragjike të mbi 60 jetëve dhe plagosjen e mbi 200 personave”, thuhet në ragim.
Në vend që të shfaqte ndjeshmëri dhe të merrte përgjegjësi, sipas BDI-së, ministri Toshkovski vazhdon të shmangë çdo lloj përgjegjësie morale apo ligjore.
“Kjo sjellje përforcon perceptimin e një shteti të kapur, ku drejtësia është selektive dhe e ndikuar politikisht. Kërkojmë që Prokuroria të veprojë me pavarësi dhe integritet, duke hetuar pa vonesë dhe pa ndikime politike të gjithë ata që kanë dështuar në detyrën e tyre për të mbrojtur qytetarët. Drejtësia nuk mund të jetë një shfaqje për media; ajo duhet të jetë një realitet i prekshëm për çdo qytetar”.
Familjet e viktimave dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut, thuhet në fund të reagimit, meritojnë përgjigje dhe drejtësi të vërtetë, jo memorandume bosh, premtime të rreme dhe fajtorë kujdestarë.
“Koha për veprim është TANI! STOP drejtësisë selektive”.