Është koha e fundit që liqeni i mirënjohur “Treska” në Saraj të Shkupit të trajtohet ashtu siç e meriton. Liqeni i Treskës, dikur vendi kult i shkupjanëve prej dekadash është lënë në mëshirë të kohës dhe njoftimi se do të ketë investime së shpejti është një nga lajmet më të mira që i kanë pritur qytetarët e kryeqytetit.
Edhe pse disa herë janë paralajmëruar projekte të ndryshme, pritet që më në fund të nisë procedura për kërkimin e një investitori potencial që do të ofrojë projekt zhvillimor për këtë qendër sportive-rekreative.
Sipas informacioneve jozyrtare nga Qeveria, përgatitja e procedurës është në fazën përfundimtare, pas së cilës zyrtarisht do të fillojë edhe procedura vijuese.
Liqeni i Treskës është nën ingerencat e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, ndërsa sipas informacioneve të caktuara, disa investitorë kanë shprehur interes fillestar për investim dhe janë realizuar disa takime, shkruan “Zhurnal.mk”.
Disa kompani kanë shprehur interes parimor, ndërsa mes tyre edhe biznesmeni Samir Mane, i cili së bashku me ekipin e tij ka zhvilluar takim me përfaqësues të Qeverisë, ku ka shprehur interes për investime në projekte të ndryshme.
Ajo çfarë është shumë e rëndësishme në këtë moment është fakti se Maqedonisë së Veriut i duhen investitorë seriozë dhe afatgjatë, pasi vendi zakonisht është përballur me sfida për të mbajtur kapitalin e huaj dhe për të realizuar projektet infrastrukturore në afatet e caktuara.
Për të përmirësuar këtë situatë dhe për të tërhequr partnerë që garantojnë përmbushjen e kontratave, shteti duhet të krijojë kushte më të favorshme dhe përmirësimin e efikasitetit në sektorin publik.
Fokus kryesor për realizimin e projekteve në kohë ështe përmirësimi i infrastrukturës, ku qeveria duhet të ndërmarrë nisma për të zhbllokuar dhe përshpejtuar projektet kapitale, në mesin e të cilave është edhe liqeni Treska.
Qeveria duhet të ofrojë mbështetje institucionale, shërbime kujdesi për kompanitë dhe lehtësime administrative.
Maqedonia e Veriut duhet që mos t’i lëshojë nga dora investitorët serioz, të cilët kanë vizion të qartë për zhvillim ekonomik, kanë dëshmuar në të kaluarën se dinë dhe munden të ndërtojnë me cilësi bashkëkohore, shkruan “Zhurnal.mk”
Ajo që është shumë me rëndësi është fakti se Liqeni i Treskës do të jetë një vlerë e shtuar dhe një margaritarë i ri në turizmin e kryeqytetit. Fatkeqësisht, Shkupi nuk ka shumë pika ku turistët mund të vizitojnë. Përveç Çarshisë së Shkupit dhe Matkës, në Shkup pothuajse nuk ka çfarë të vizitojnë turistët.
Me ndërtimin dhe kthimin e shkëlqimit të Liqenit Treska, Shkupi do të shndërrohet në një prej atraksioneve më të çmuara tursitike në rajon, prandaj është shumë e rëndësishme që investitorëve që janë të interesuar për Liqenin e Treskës t’iu ofrohen të gjithë lëehtësirat dhe kapacitetet e nevojshme që procesi të zhvillohet pa asnjë pengesë.
Me zhvillimin e këtij projekti përveç që do të përfitojnë qytetarët vende për argëtim dhe pushim, do të përfitojë edhe Komuna e Sarajit dhe vendbanimet për rreth, pronat e të cilëve do të kenë vlerë të shtuar, do të ketë më shumë oferta për punë dhe të ardhura më të mira për të gjithë zonën.
Çdo investim kapital duhet parë si një zinxhir investimesh ku përfitojnë kompani dhe biznese të ndryshme nga logjistika, furnizimi, kryerja e punimeve, mirëmbajtja, pastrimi e deri te të ardhurat shtesë për komunën, shkruan “Zhurnal.mk”. përcjell Zhurnal.mk .

