Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, ka reaguar lidhur me rastet e përsëritura të ndalimit të ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, të cilët ndalohen çdo tre muaj me kërkesë të Serbisë përmes Interpolit. Në një deklaratë për Telegrafi Maqedoni, ai thekson se problemi është më i gjerë dhe ka të bëjë me abuzimin që Serbia bën me instrumentet ndërkombëtare.
“Çështja është përtej Maqedonisë së Veriut sepse Serbia po e keqpërdor instrumentin e Interpolit. Mirëpo kemi një bashkëpunim të shkëlqyer, sidomos me zëvendëskryeministrin Izet Mexhiti, i cili ka përvojën e tij dhe vihet menjëherë në lëvizje, në funksion të mbrojtjes së kauzës sonë dhe mbrojtjes së të drejtës për rastet e tilla”, deklaroi ambasadori Qehaja.
Rastet e ndalimeve të tilla kanë shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik dhe janë konsideruar si përpjekje politike të Serbisë për të vazhduar ndjekjen e pjesëtarëve të UÇK-së, duke përdorur mekanizma ndërkombëtarë si Interpoli, pavarësisht mungesës së bazës ligjore.
Sipas Qehajës, reagimi i shpejtë dhe bashkëpunimi i ngushtë me autoritetet maqedonase, veçanërisht me Mexhitin, është kyç për të parandaluar cenimin e të drejtave të ish-luftëtarëve të lirisë.