Ali Ahmeti nga Gostivari: BDI-ja vazhdon organizimin, synojmë rikthimin e dinjitetit dhe barazisë
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka marrë pjesë sonte në punimet e Kuvendit Zgjedhor të Degës së BDI-së në Gostivar, ku janë zgjedhur strukturat e reja drejtuese të degës.
Gjatë kuvendit u zgjodhën Kryesia e Degës, Këshilli Mbikëqyrës, Komiteti i Veteranëve, sekretarët e sekretariateve tematike, si dhe strukturat e tjera organizative.
Ahmeti, përmes një reagimi pas kuvendit, vlerësoi atmosferën dhe angazhimin e anëtarëve të partisë, duke theksuar se Gostivari mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të BDI-së.
“Atmosfera, entuziazmi, përkushtimi dhe gatishmëria e atyre që morën përgjegjësi dëshmojnë se Gostivari është i vendosur të vazhdojë të jetë një nga shtyllat më të fuqishme të Bashkimit Demokratik për Integrim”, deklaroi Ahmeti.
Ai uroi të zgjedhurit e rinj për punën e tyre, duke përmendur në veçanti kryetaren e Forumit të Gruas, kryetarin e Forumit Rinor, aktivistët, veteranët dhe mbështetësit e BDI-së në Gostivar.
Sipas Ahmetit, zhvillimet politike në vend kërkojnë më shumë vigjilencë, bashkim dhe angazhim nga strukturat e partisë.
“Bashkë do të vazhdojmë betejën për rikthimin e dinjitetit, barazisë dhe respektimit të vullnetit të qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Ahmeti.
Ai shtoi se me organizim, unitet dhe besim në kauzën politike të BDI-së, Gostivari do të japë rezultat të rëndësishëm në sfidat e ardhshme politike.

