Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka uruar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për fitoren në zgjedhjet parlamentare, përmes një mesazhi të ngrohtë dhe vëllazëror të publikuar në rrjetin social Facebook.
Ahmeti e cilëson fitoren e Ramës si “spektakolare dhe plebishitare”, duke theksuar simbolikën e shpalljes së saj nga Sheshi “Skënderbej” në Tiranë, në prani të liderëve më të lartë evropianë, si një kurorëzim i vizionit për Shqipërinë europiane.

“S’kishte mënyrë më të mirë se sa ta shpallësh fitoren e Shqipërisë Europiane, ashtu siç i ka hije, nga sheshi i kryeheroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, shkruan Ahmeti në urimin e tij.
Duke përmendur bashkëpunimet dhe mbështetjen reciproke në çështje kyçe si zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, ndërtimi i Korridorit 8, eliminimi i kufijve mes dy vendeve dhe krijimi i abetares së unifikuar, Ahmeti thekson se Rama ka qenë pranë shqiptarëve në çdo hap.
“Mua më ke pas, të ta hap rrugën e të ta ruaj shpinën”, thekson lideri i BDI-së, duke shtuar se mbështetja për integrimin dhe pajtimin në rajon është thelbësore për të ardhmen e përbashkët europiane.
Në fund të mesazhit të tij, Ali Ahmeti shpreh gatishmërinë për të vijuar punën e përbashkët me Ramën në rrugën drejt integrimit evropian, duke i uruar atij shëndet dhe mbarësi.
“Të përqafoj si vëllau vëllain… dhe me mall pres të ritakohemi e ta shtrijmë rrugën tonë të përbashkët europiane”, përmbyll urimin e tij Ahmeti.
Urimi vjen në një moment të rëndësishëm politik për Shqipërinë dhe rajonin, ku mesazhet e bashkëpunimit dhe integrimit po marrin gjithnjë e më shumë peshë në kontekstin e sfidave aktuale politike dhe gjeostrategjike.