Aleanca për Shqiptarët, krahu i Taravarit, njoftoi se në mbledhjen e mbajtur më 10 prill 2025, Komisioni i Etikës pranë Aleancës për Shqiptarët (ASH) shqyrtoi rastin e Muhsin Arifi, kryetar i Degës së Sarajit dhe Drejtor i Spitalit të Geriatrisë, i dyshuar për marrje ryshfeti nga autoritetet kompetente. Komisioni i Etikës vendosi ndërprerjen e menjëhershme të anëtarësisë së Muhsin Arifi në ASH si dhe shkarkimin e tij nga pozita e Kryetarit të Degës së Sarajit, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata kompetente.
“Kodit i Etikës së ASH-së kërkon që përfaqësuesit politikë të kenë standarde të larta të integritetit moral, ligjor dhe profesional, dhe që anëtarët e strukturave drejtuese të veprojnë në përputhje me ligjin, Programin dhe Statutin e Partisë, duke shmangur përfitimet personale financiare ose materiale. Bazuar në këtë, Komisioni i Etikës vendosi ndërprerjen e menjëhershme té anëtarësisë së z. Muhsin Arifi në ASH si dhe shkarkimin e tij nga pozita e Kryetarit të Degës së Sarajit, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata kompetente. ASH nuk do të ketë tolerim për asnjë abuzim, shkelje të ligjit apo të Kodit Etik të Partisë. Qeverisja me duar të pastra nuk është vetëm një slogan, por një obligim moral dhe politik për secilin anëtar të ASH-së, sepse besimi i qytetarëve fitohet dhe mbahet vetëm me përkushtim, ndershmëri dhe integritet”, thuhet në njoftimin e ASH-së.
Drejtori i Geriatrisë Muhsin Arifi dhe një person tjetër për të cilin është hapur hetim, kanë pranuar ryshfet për sigurimin e shtratit në spital. Sipas informacioneve të prokurorisë, nga data 19 mars deri më 8 prill 2025, drejtori në disa raste ka kërkuar drejtpërdrejt ryshfet për të akomoduar një burrë i cili vuante nga sëmundje të shumta dhe i cili sipas rekomandimeve mjekësore kërkonte kujdes spitalor në Repartin e Geriatrisë të drejtuar nga Arifi. Gjendja e pacientit u përkeqësua, por ai u vendos në listë pritjeje.
I dyshuari i dytë ka caktuar takim me drejtorin e Institucionit më 19.03.2025 në mbrëmje në një objekt hoteliere në Shkup, ku nga gruaja Arifi ka kërkuar ryshfet prej 100 mijë euro dhe ka premtuar ndihmë për akomodim nëse shpërblehet. Dëshmitarja reagoi se ishin shumë para, për të cilën drejtori sugjeroi që shuma e kërkuar të sigurohej me shitjen e pasurisë së paluajtshme – apartament në pronësi të pacientit, gjë që nuk ishte opsion.
Ishin edhe dy takime dhe përfundimisht u ra dakord që dëshmitari të jepte 20 mijë euro si garanci për ta vendosur pacientin në spital.
MPB në Prokurorinë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dorëzoi kallëzim penal kundër М.А. (35) dhe B.А. (49) për ndihmën gjatë kryerjes së kësaj vepre penale.