Koordinatori i këshilltarëve të AKI-së në Qytetin e Shkupit, Abdulselam Selami, ka reaguar ndaj vendosjes së një tabele vetëm në një gjuhë nga ana e Kryetarit të Qytetit të Shkupit, duke e cilësuar këtë si shkelje të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe të karakterit shumetnik të kryeqytetit.
Në reagim, AKI kërkon që tabela të korrigjohet menjëherë në përputhje me ligjin, duke theksuar se Shkupi duhet të ruajë frymën e multikulturalizmit, bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.
Selami njofton se në seancën e ardhshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit, këshilltarët e AKI-së do të kërkojnë llogari nga kryetari i qytetit për këtë veprim, si dhe sqarime për moszbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Ata gjithashtu do të kërkojnë masa konkrete për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
Sipas AKI-së, respektimi i dygjuhësisë nuk është çështje e vullnetit politik, por një obligim ligjor dhe një shprehje e respektit ndaj të gjithë qytetarëve të Shkupit, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike apo gjuhësore.

