Ahmeti: 6 Tetori 1968, dita kur flamuri kuqezi u bë zë i qëndresës shqiptare

2 Min. Leximi

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka përkujtuar 6 tetorin e vitit 1968, duke e cilësuar si një nga momentet më të fuqishme të zgjimit kombëtar shqiptar.

Ahmeti ka thënë se më 6 tetor 1968, në Prizren, flamuri kombëtar u valëvit hapur, ndërsa më pas demonstratat u përhapën në shumë qytete të Kosovës dhe në viset e tjera shqiptare.

Sipas tij, flamuri kuqezi u shndërrua në simbol të kërkesës për barazi, dinjitet, gjuhë, identitet dhe liri.

“6 Tetori 1968, një ditë që flamuri kuqezi u ngrit lart dhe qëndresa shqiptare mori një zë të ri”, ka shkruar Ahmeti.

Ai ka kujtuar se për flamurin kombëtar shumë shqiptarë u përndoqën, u burgosën dhe u dënuan me vite të shumta burg.

Në mesin e tyre, Ahmeti ka përmendur edhe patriotin Fazli Grajçevci.

“Breza të tërë e paguan shtrenjtë guximin për ta mbajtur flamurin të lirë. Por as arrestimet, as burgjet, as dënimet, as dhuna dhe as përndjekjet nuk mundën ta ndalin simbolin që për shqiptarët mbart kujtesën e sakrificës, krenarisë dhe qëndresës kombëtare”, ka shkruar ai.

Ahmeti ka shtuar se nën këtë flamur u frymëzuan breza të tërë shqiptarësh, përfshirë edhe ata që më vonë iu kundërvunë shtypjes, pushtimit dhe spastrimit etnik.

Sipas tij, kjo frymë u bart deri te pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

“Flamuri kuqezi nuk është vetëm një simbol që valëvitet në erë. Është historia jonë, sakrifica jonë dhe kujtesa jonë kolektive”, ka shkruar Ahmeti.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull