A ekziston fare Arben Fetai?

4 Min. Leximi

Si nuk e kuptuam një herë e mirë se është nder i madh të paguajmë njerëz që askush nuk i ka parë apo dëgjuar ndonjëherë, njerëz që sundojnë mbi të nënshtruarit dhe të përulurit në këtë vend të vogël, të cilin e kanë shndërruar në një vrimë të zezë pa dalje. Sa më shumë që fundosemi, aq më shumë na tërheqin poshtë

Nga Biljana SEKULLOVSKA

Për dy vjet askush nuk e dinte se fare ekzistonte personi Arben Fetai. Ky njeri i dashur dhe i virtytshëm mban funksionin më të rëndësishëm në këtë shtet. Ai është zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë në Qeverinë e Hristijan Mickoskit. Prej disa javësh, për Arben Fetain pothuajse çdo ditë shkruajnë “brejtësit gazetareskë”, po të shërbehem me fjalët e kryeministrit Mickoski, kur i përshkruan kritikët e tij, por edhe kritikët e pushtetit në përgjithësi. Askush nuk e di nëse Arben Fetai shkon në punë, e as nëse merr pagë. Për këtë pyetje  kryeministri Mickoski u përgjigj në mënyrë të përshtatshme me natyrën “brejtëse të gazetarëve”: “Javën e ardhshme do të kem takim me Fetain dhe atëherë do t’i kem të gjitha përgjigjet”.

Çfarë të këqijash gazetareske! Mickoski dëshiron të thotë se kjo pyetje fare nuk është e rëndësishme, meqë askush deri më tani nuk është interesuar të pyesë: pse vallë për dy vjet ky person, Arben Fetai, ka marrë pagë? Çfarë ka punuar ai person, çfarë ka realizuar, ku janë sukseset, bëmat, rezultatet e tij? Të paktën të kishte një dokument të vetëm, që të dinim pse në përgjithësi e paguajmë? Njësoj si të punësuarit në Sallën Universale, të cilët prej vitesh marrin pagë dhe kurrë nuk do të ketë përgjigje se pse nuk mbajnë përgjegjësi?

Sa të punësuar ka në administratë që po ashtu marrin pagë, por nuk ekzistojnë? Sigurisht që është e turpshme, madje e pabesueshme, që fare të hapen këto tema. Edhe Mickoski është i habitur dhe i fyer nga pyetjet, ndërsa tani po mësojmë se ekziston njëfarë Arben Fetai, për të cilin javën e kaluar, Mickoski tha se është kuadër aq cilësor sa ndoshta do të përfundojë në Bruksel si përfaqësues special. Mickoski ka të drejtë të jetë i nervozuar nga ky interes i lig dhe brejtës. Si nuk e kuptuam një herë e mirë se është nder i madh të paguajmë njerëz që askush nuk i ka parë apo dëgjuar ndonjëherë, njerëz që sundojnë mbi të nënshtruarit dhe të përulurit në këtë vend të vogël, të cilin e kanë shndërruar në një vrimë të zezë pa dalje. Sa më shumë që fundosemi, aq më shumë na tërheqin poshtë. Luajnë mbi kokat tona, ashtu siç e bënte Gruevski. Na vjen mirë për ta, ndjehemi të nderuar nga vallëzimi i tyre, që fare janë kujtuar të na e hapin këtë gropë. Edhe sikur të na japin një litar, vetë mund ta përfundojmë punën; le të mos i ndotin duart e tyre të pastra. (Marrë nga platforma 25minuti)

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull