Nga Haydar Oruç, Daily Sabah
Duke sulmuar Iranin më 28 shkurt, Izraeli synonte të përfundonte punën e lënë përgjysmë gjatë “Luftës 12-ditore” të qershorit 2025, duke zbatuar planin e tij të vjetër për përfshirjen e SHBA-së në një konflikt të drejtpërdrejtë me Teheranin.
Izraeli shpresonte që me ndihmën amerikane t’i shkaktonte Iranit dëme si ato në Irak, duke nxitur përçarje etnike e sektare për të rrëzuar regjimin ose për të instaluar një qeveri pro-izraelite.
Ndonëse programet bërthamore dhe balistike u përdorën si pretekste, objektivi i vërtetë ishte ndryshimi i regjimit. Megjithatë, pavarësisht fuqisë teknologjike të SHBA-së dhe Izraelit, regjimi iranian nuk u shemb dhe vrasja e Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei doli kundërproduktive, duke bashkuar popullin rreth regjimit.
Irani e mori shpejt veten, mbylli Ngushticën e Hormuzit dhe sulmoi bazat amerikane në Gji, duke krijuar një krizë globale energjetike. Izraeli e nisi këtë përballje pasi vlerësoi se forcat pro-iraniane si Hezbollahu dhe Huthitët ishin dobësuar mjaftueshëm.
Mungesa e një përgjigjeje të fortë iraniane në raundet e mëparshme, e bëri Izraelin të besonte se fitorja do të ishte e lehtë. Por rezistenca e Iranit dhe strategjia e tij për të përhapur luftën në Gjirin Persik e zunë në befasi Tel Avivin.
Mbetet e paqartë nëse ky ishte një keqinterpretim izraelit apo një kurth i mirëmenduar nga Irani. Ndërkohë, në ditën e 40-të të luftës, publiku izraelit është i lodhur; jeta në vendstrehime dhe ndërprerja e arsimit e punës kanë zbehur entuziazmin fillestar, duke bërë që mbështetja për luftën të bjerë nga 83 në 77 për qind.
Përçarjet shoqërore janë thelluar edhe nga faktit se studentët ultra-ortodoksë mbeten të përjashtuar nga ushtria, ndërkohë që katërqind mijë rezervistë janë thirrur nën armë. Nga pikëpamja ushtarake, me vetëm njëqind e shtatëdhjetëepesë ushtarë aktivë, Izraeli po lufton në shumë fronte si Gaza, Libani dhe Irani.
Pavarësisht mijëra sulmeve ajrore, aftësitë balistike të Iranit nuk janë asgjësuar dhe miti i sigurisë është tronditur pasi raketat iraniane kanë filluar të depërtojnë në Kupolën e Hekurt.
Ushtria po përballet me një krizë të rëndë të fuqisë punëtore për shkak të kohëzgjatjes së pashembullt të konfliktit.
Kjo krizë reflektohet edhe në ekonomi, ku vetëm muaji i parë i ka kushtuar Izraelit rreth shtatë miliardë e gjysmë dollarë. Kur i shtohen humbjet edhe nga ndërprerja e prodhimit dhe dëmshpërblimet për pronat e shkatërruara, atëherë kostoja totale i kalon dhjetë miliardë dollarët.
Miratimi i miliardave të tjerë shtesë për mbrojtjen, tregon se qeveria parashikon një konflikt të gjatë që do të rëndojë edhe më tej vendin. Pra Izraeli e nisi luftën me mbështetjen e SHBA-së, por duket se e ka llogaritur gabim qëndrueshmërinë e regjimit dhe besnikërinë e popullit iranian.
Duke goditur interesat amerikane dhe ekonominë botërore përmes bllokimit të rrugëve detare, Teherani po tenton ta detyrojë SHBA-në të tërhiqet, duke e lënë Izraelin të izoluar.
Nëse Irani refuzon të dorëzohet, Izraeli rrezikon të humbasë luftën që vetë e nisi dhe të paguajë një çmim katastrofik, i shtypur nën peshën e krizës që krijoi me duart e veta. /tesheshi.com/

