Faktori ndërkombëtar i ka dhënë dritë jeshile VMRO-DPMNE-së për të formuar qeveri, ndërsa publikisht po flitet se në këtë Qeveri do të jetë edhe VLEN-i. Këtë e ka deklaruar analisti politik, Besim Nebiu, i cili ka shtuar se VMRO-DPMNE e ka definuar si një shtyllë kryesore të fushatës së vet luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe në atë, sipas tij, ka një etiketë, një determinues i cili është i lidhur me BDI-në.
“Nga aspekti i elektoratit të vet do të ishte vështirë ta shpjegojë një koalicionim me BDI-në, do ti kushtonte para elektoratit të vet. Kjo është një pjesë e analizës dhe ajo që ka të bëjë me atë se kur VMRO-ja thotë se është e determinuar që të mos bëj koalicion me BDI-në, mendoj se është serioze në këtë determinim”, ka deklaruar Besim Nebiu, për gazetën Lajm.