Na ndajnë edhe pak ditë nga zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë së Veriut. Derisa partitë vijojnë fushatën e tyre, Portalb.mk ka analizuar programet e tyre për atë se çfarë ofrojnë për të rinjtë. Më poshtë kemi analizuar programin e koalicionit VLEN (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit).
Në programin zgjedhor “Plani 2030 VLEN” ky koalicion për të rinjtë është fokusuar më tepër në arsim, sport, kulturë dhe biznes.
Arsim cilësor
VLEN në programin e tyre zotohet se do të bëjnë reforma në arsim. Disa nga pikat e programit përfshijnë:
Edukata morale dhe qytetare të jetë lëndë e detyrueshme për fëmijët dhe të rinjtë.
Alkooli dhe droga do të mbahen strikt larg shkollave.
Gjimnazet për teknologji dhe shkenca digjitale do të themelohen apo do të zhvillohen më tej në Shkup (ku aktualisht ekziston), Tetovë dhe Manastir.
Do të vazhdohet me implementimin e arsimit dual nëpër shkollat e mesme profesionale dhe do të zgjerohet ajo me përfshirjen e të gjithë nxënësve të regjistruar në shkollat e mesme profesionale të cilëve do tu sigurohen bursa profesionale… Ne do të zbatojmë formulën e arsimit dual të Gjermanisë.
Në shkollat e mesme të përgjithshme do të ketë edhe një zyrë të këshillimit të karrierës ku do të jepen këshilla profesionale për nxënësit para se ata të zgjedhin degën e studimeve universitare.
Do të jepen rroga për studentët cilësorë që regjistrohen në fakultetin pedagogjik.
Rritje e cilësisë në universitetet shqiptare.
Erasmus shqiptar (Ministria e Arsimit në qeverinë e VLEN do të bëjë marrëveshje me Kosovën dhe Shqipërinë që studentët tanë të kenë mundësi për të zhvilluar një vit universitar në njërin nga universitetet e Kosovës e të Shqipërisë).
Shumë terrene sportive
VLEN zotohet se për çdo 1000 banorë do të ndërtohet terren sportiv i aksesueshëm në radhë të parë nga fëmijët.
“Zotohemi për ndërtimin e 200 terreneve të reja sportive komunitare, tek vendbanimet shqiptare, brenda mandatit të parë, dhe 200 terrene të tjera brenda mandatit të dytë”, thuhet në program.
Ata zotohen se do të sigurojnë përkrahje institucional dinjitoze për sportistët elitarë.
“Klubet sportive që do arrijnë rezultate të larta në gara rajonale dhe ndërkombëtare di të përfitojnë grante speciale për të siguruar funksionimin e tyre. Sportistëve të dalluar të cilët arrijnë rezultate të larta në gara rajonale dhe ndërkombëtare di t’u jepet rrogë shtetërore”, thuhet në program.
Zonë ekonomike rinore
Në program VLEN thekson se njëra nga zonat ekzistente do të rikonceptohet si Zonë e Lirë Ekonomike Rinore, e cila do të jetë e dedikuar për bizneset e të rinjve.
“Kjo zonë do të ketë përparësi kryesisht në sektorët e start-up dhe teknologjisë”, thuhet në program.
Ata zotohen gjithashtu për lirim nga taksat për bizneset e të rinjve.
“Personat më të rinj se 30 vjet që hapim biznes në RMV do të lirohen për tre vite nga taksat biznesore”, thuhet në program.
Për çiftet e reja ata premtojnë zero kamatë për banesat.
“Kredi me zero interes për banim për çiftet e reja (me moshë mesatare nën 35 vjet)”, thuhet në program.
Ndër të tjera, VLEN thekson se për secilin fëmijë nën 18 vjeç familja do të marrë një shtesë mujore prej 1000 denarë, me mundësi zgjatjeje deri në 25 vjet për fëmijët që ndjekin arsimin sipëror.
Kulturë për rininë
VLEN zotohet se do të hapë pesë qendra të reja kulturore shqiptare, ku do të ofrohen kurse për fëmijët e talentuar në muzikë, vallëzim, këngë, pikturë, skulpturë e arte të tjera, si dhe do të krijohen grupe kulturore-artistike që do të mbajnë aktivitete të përhershme në shkallë lokale, shtetërore apo edhe ndërkombëtare.
Ditëve në vijim Portalb.mk do të publikojë edhe programet e partive tjera politike dhe atë se çfarë ofrojnë për të rinjtë.
Kujtojmë që zgjedhjet parlamentare do mbahen me 8 maj së bashku me rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.