Një studim i ri ka zbuluar një fakt të rëndësishëm se njerëzit që ecin çdo ditë kanë një rrezik më të ulët të vdekjes se ata që janë më pak aktivë.
Dëshmitë e mëparshme kanë treguar se ecja ka një sërë efekte pozitive për shëndetin. Këto përfshijnë përmirësimin e shëndetit kardiovaskular, cilësinë e gjumit dhe shëndetin mendor.
Nuk keni nevojë të bëni shëtitje të gjata çdo ditë për të përfituar nga ecja. Edhe ecja me hapa të shpejtë gjatë aktiviteteve të përditshme ka të njëjtat përfitime shëndetësore.
Ecja është forma më e lehtë dhe më e lirë e ushtrimit të moderuar. Përveç këpucëve të përshtatshme, nuk kërkon ndonjë pajisje specifike.
Sipas kardiologëve, aktiviteti i rregullt fizik lidhet me një rrezik të zvogëluar të diabetit dhe presionit të lartë të gjakut. Ecja gjithashtu ndihmon në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës, që janë shkaku kryesor i vdekjeve të parakohshme. Aktiviteti fizik si ecja rrit forcën e muskujve dhe ndihmon në parandalimin e rënies dhe lëndimeve.
Ecja është një ushtrim i shkëlqyer për trupin, duke përfshirë të gjithë muskujt e këmbëve. Ndryshimi i ritmit gjatë një shëtitjeje mund të ketë më shumë përfitime shëndetësore. Për shembull, ecja me një ritëm më të shpejtë për një interval 30 sekonda, pastaj ngadalësimi për 30 sekonda të tjera, mund të rrisë rrahjet e zemrës dhe ndihmon në djegien e më shumë kalorive.
Dëshmitë sugjerojnë që ecja mund të përmirësojë cilësinë e gjumit dhe shëndetin mendor. Njerëzit që janë fizikisht aktivë kanë shëndet më të mirë sesa ata që nuk janë.