Tregtarët nuk lejohen të punojnë nesër dhe më 8 maj, njofton Inspektorati Shtetëror i Tregut. Në njoftimin e Inspektoratit të Tregut thuhet se punëdhënësit nuk mund të punojnë në ditën e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, me përjashtim të atyre ku proceset e punës nuk mund të ndërpriten për shkak të natyrës së tyre, transmeton Portalb.mk.
“Nesër dhe më 8 maj Inspektorati Shtetëror i Tregut do të vendosë kujdestarë dhe përmes inspektorëve shtetërorë të tregut do të kontrollojë nëse konkluzioni i Qeverisë teknike respektohet nga punëdhënësit”, thonë nga Inspektorati i Tregut.
Më 16 prill qeveria mori vendim që 24 prilli dhe 8 maji të jenë ditë jo pune për të gjithë qytetarët. Ky vendim është në kundërshtim me atë që Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ia ka dorëzuar Qeverisë me propozim për miratim. Në vendimin e Ministrisë thuhet se “rekomandohet” që data 24 prill dhe 8 maj të jenë ditë jo pune. Megjithatë, në vendimin e qeverisë pjesa “e rekomanduar” është fshirë.
Drejtoresha e Inspektoratit të Punës, Vesna Tomoska, më 17 prill tha për Sdk.mk se një numër i madh i kompanive kanë kërkuar shpjegim nëse lejohet të punojnë apo jo.
“Me vendim të Qeverisë 24 prilli dhe 8 maji janë ditë jo pune për të gjithë qytetarët dhe nuk duhet të punojnë. Ne si Inspektorat i Punës nuk mund të dënojmë sepse nuk po flasim për ditë jo pune të përcaktuara me Ligjin për festat. Do të presim udhëzime nga Ministria kompetente e Punës dhe Politikës Sociale se si të veprohet”, tha atëherë Tomoska.