Përfundon votimi për zgjedhjet lokale në Turqi
Në mbarë Turqinë janë mbyllur tanimë qendrat e votimit për zgjedhjet për pushtetin lokal.
Votimi filloi në orën 7:00 të mëngjesit me kohën lokale dhe vazhdoi deri në orën 16:00 me kohën lokale në 32 provinca lindore të vendit, kurse në provincat e mbetura, qendrat e votimit u hapën në orën 08:00 dhe u mbyllën në orën 17:00.
Në garë ishin kandidatë nga 34 parti politike, ndërsa në mbarë vendin janë vendosur më shumë se 206.000 qendra votimi.
Krahas krerëve të 81 provincave, qytetarët hodhën votën e tyre për 973 kryetarë të rretheve dhe 390 kryetarë bashkie së bashku me 50.336 muhtarë, si dhe anëtarët e asambleve të përgjithshme provinciale dhe të këshillave bashkiakë.
Partitë kryesore garuese ishin Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK), opozita kryesore Partia Popullore Republikane (CHP), Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), Partia IYI dhe Partia Demokratike Popullore (DEM). /AA/