Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është diskutuar lidhur me aktivitetet e sekretariatit dhe raportin e Këshillave të KQZ-së.
Gjatë diskutimeve u tha se të gjitha Qendrat e Votimit në katër komunat veriore, i plotësojnë kriteret ligjore për vendndodhjen e tyre. Derisa një numër i vogël nuk kanë qasje të lehtë për personat me nevoja të veçanta.
Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani ka prezantuar raportin e Këshillit për Operacione Zgjedhore duke thënë se risi është përkrahja teknike për kamera në vendvotime.
Përkundër votimit pro, anëtari i KQZ-së Ilir Gashi shprehet skeptik nëse është në përputhshmëri me ligjet aktuale të Kosovës vendosja e kamerave.
E sqarime për këtë dha Elshani, duke treguar se këto specifika janë vetëm për përkrahjen teknike.
Ndërkaq, anëtari tjetër Alban Krasniqi, tha se kamerat vendosen në formë dhe pozitë ku ruhet mbarëvajtja e procesit.
Shqyrtimi dhe miratimi i specifikave teknike për shërbimet e instalimit dhe përkrahjes teknike të kamerave në vendvotime është miratuar nga anëtarët e KQZ-së.
Poashtu u bë edhe njoftimi lidhur me procesin e rekrutimit të personelit të përkohshëm, për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në Komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.
Deri më tani sipas njoftimit për 25 pozita janë bërë 64 aplikime.