Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është mburrur për rritje ekonomike në trevjetorin e qeverisjes së tij, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kurti ka thënë se në këto tri vite punësimi është më i lartë se çka qenë ndonjëherë dhe se numri i të rinjve të punësuar në tregun e punës është dyfishuar. Ai tutje ka folur për eksportet dhe investimet e huaja direkte, për të cilat thotë se po ashtu janë dyfishuar.
Kurti ka thënë se bruto produkti vendor ka arritur vlerën 9.6 miliardë euro, nga 6.7 miliardë euro sa ishte kur mori detyrën. Sipas shifrave të kryeministrit kjo i bie, 3 miliardë euro më shumë për tri vjet qeverisje, me deficit minimal.
Ai tutje ka bërë krahasime me qeveritë e kaluara duke thënë se atyre u duhej tri vjet kohë për t’ia shtuar 1 miliard euro ekonomisë, dhe atë përmes borxheve dhe shfrytëzimit të fondeve të mbledhura nga privatizimi.
“Bruto Produkti Vendor ka arritur vlerën 9.6 miliardë euro, nga 6.7 miliardë euro sa ishte kur morëm qeverisjen nën drejtim – pra 3 miliardë euro më shumë për tri vjet qeverisje, me deficit minimal. Qeverive në të kaluarën u duhej tri vjet kohë për t’ia shtuar 1 miliard euro ekonomisë, dhe atë përmes borxheve dhe shfrytëzimit të fondeve të mbledhura nga privatizimi.
Për këto e më shumë, jemi krenar dhe ballëhapur. Tre vjet pas, entuziazmi i qytetarëve për qeverinë tonë është vullneti ynë për të shërbyer. Besimi i tyre për qeverinë tonë është vlerësimi më i lartë për punën e deritanishme dhe frymëzimi për punën që vazhdon2, shkruan Kurti ndër të tjera.
Postimi i plotë:
Punësimi është më i lartë se çka qenë ndonjëherë. Ka dyfish më shumë të rinj të punësuar në treg të punës se kur e morëm detyrën. Afër 10 mijë të rinj mes moshës 18-29 vjeç janë punësuar përmes platformës qeveritare Superpuna. Mbi 12 mijë gra janë punësuar përmes masave dhe mbështetjes sonë direkte. Eksportet dhe Investimet e Huaja Direkte janë dyfishuar.
Në tri vjet qeverisje rishpërndamë rreth 1.2 miliard euro te qytetarët dhe bizneset përmes masave të shumta, pa krijuar borxhe të reja. Kemi pasur pakon më të madhe mbështetëse në rajonin e Ballkanit për qytetarë në ballafaqim me inflacionin dhe krizën energjetike, si përqindje e Bruto Produktit Vendor sipas Raportit të Bankës Botërore. Shpenzimet kapitale në vitin e kaluar shënuan vlerë rekord prej 555 milionë euro të ekzekutuara. Ndërkohë që borxhin publik e kemi në nivelin më të ulët në Evropë.
Në vitin 2020 faturat e papaguara nga qeveritë e kaluara për mallra dhe shërbime që kanë marrë nga bizneset kanë qenë në vlerë prej 140 milionë euro. Në fund të vitit të kaluar ky borxh është ulur në vetëm 33 milionë.
Qarkullimi i bizneseve në vitin 2023 ishte për 58% më i lartë se ai në vitin 2019, vit parapandemik.
Bruto Produkti Vendor ka arritur vlerën 9.6 miliardë euro, nga 6.7 miliardë euro sa ishte kur morëm qeverisjen nën drejtim – pra 3 miliardë euro më shumë për tri vjet qeverisje, me deficit minimal. Qeverive në të kaluarën u duhej tri vjet kohë për t’ia shtuar 1 miliard euro ekonomisë, dhe atë përmes borxheve dhe shfrytëzimit të fondeve të mbledhura nga privatizimi.
Për këto e më shumë, jemi krenar dhe ballëhapur. Tre vjet pas, entuziazmi i qytetarëve për qeverinë tonë është vullneti ynë për të shërbyer. Besimi i tyre për qeverinë tonë është vlerësimi më i lartë për punën e deritanishme dhe frymëzimi për punën që vazhdon.