Humbja e thellë kundër Kilit, ndonëse vetëm një miqësore, ka shqetësuar jo pak ambientin kuqezi.
Përveç shifrave të thella 3 me 0, përfaqësuesja tregoi problem të konsiderueshme në lojë e po ashtu disa prej lojtarëve tek të cilët pritshmëria ishte e lartë kanë zhgënjyer.
Thënë ndryshe Shqipëria është kthyer me këmbë në toke. Tekniku Silvinjo e analizoi lojën dhe rezultatin me nota të dukshme mërzie.
“Në 25 minutat e parë nuk kemi bërë asgjë mirë. Ne na mungoi intensiteti, kjo është fjala e duhur. Nuk më pëlqeu aspak. Ne jemi skuadër që duhet të bëjmë 90 minuta luftë, nëse mungojnë 25 minuta… Por pas golit nisëm të luajmë dhe hymë në lojë. Jam i inatosur për golin e dytë dhe të tretë, skuadra duhet të jetë në lojë gjithmonë. Është një nivel i lartë që shkojmë të luajmë dhe duhet ta kuptojmë shpejt këtë”, tha trajneri i Kombëtares.
Trajneri i përfaqësues nuk kurseu madje edhe një qëndrim kërcënues ndaj lojtarëve që i përgjigjen kërkesave të tij.
“Ne nuk kemi titullarë fiks, kombëtarja është e hapur. Lojtarët që nuk vrapojnë, nuk vijnë me ne. Ne jemi shpirt, zemër. Kjo është pse kemi bërë mirë, ne kemi një drejtim në të cilin duhet të shkojmë. E vërtetë që për shumë prej tyre është moment i vështirë, por lojtarët duhet të përfitojnë nga momenti. Kemi 23 lojtarë dhe nuk është e lehtë për të gjithë”, tha Sylvinho.
Disfata në Parma zhgënjeu pa masë edhe mijëra shqiptarë që mbushën stadiumin “Enio Tardini”, të cilët e bënë përfaqësuesen të ndjehej si në shtëpi. Tani Shqipëria do të udhëtojë direkt nga Italia për në Stokholm, ku të hënën në mbrëmje do të luajë miqësoren e dytë kundër Suedisë./vizionplus.tv