PRIZREN (AA) – Në Kosovë janë mbajtur një sërë ngjarjesh me rastin e 18 Marsit, Ditës së Përkujtimit të Dëshmorëve dhe 109-vjetorit të fitores detare në Çanakala, raporton Anadolu.
Në ceremoninë e mbajtur në kazermën Sulltan Murat, ku ndodhet në Prizren Kryesia e Komitetit Përfaqësues të Türkiyes që shërben në kuadër të Forcës së Paqes të NATO-s në Kosovë (KFOR), mori pjesë ambasadori i Türkiyes në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, Kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, zëvendësi i KDTP-së Enis Kervan, Komandanti i Kontigjentit Turk të KFOR-it, kolonel Sabri Gökhan Karamürsel, si dhe përfaqësues të institucioneve turke që punojnë në vend, kryetarë komunash dhe mysafirë.
Në ceremoninë e cila filloi me një minutë heshtje dhe leximin e Himnit Kombëtar, u lexuan poezi dhe u kënduan këngë nga nxënës nga trevat e ndryshme të Kosovës. Nxënësve që fituan konkursin e pikturës dhe poezisë u ndanë dhurata nga të ftuarit.
Ambasadori Angılı, ministri Damka dhe koloneli Karamürsel mbajtën secili fjalim për rëndësinë e frymës së unitetit dhe solidaritetit në përvjetorin e Fitores së Çanakalasë. Në fjalime u përkujtuan edhe ushtarët nga Kosova dhe rajoni që ranë dëshmorë në Çanakala.
Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore, në monumentin e dëshmorëve të Çanakalasë në Komunën e Mamushës, komuna e vetme turke në Kosovë, u vendos një kurorë lulesh dhe u mbajt një minutë heshtje.
Në anën tjetër, shfaqja teatrore “Dita e Përkujtimit të Fitores dhe Dëshmorëve të Çanakalasë” u ngjit në skenë në Prizren nga “Art Theatre”.