Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut nga Opozita e Bashkuar Shqiptare, Arben Taravari, ka folur për kundërkandidatin e tij, Bujar Osmani.
Taravari tha se Osmani në karrierën e tij ka pasur skandale dhe kritika.
“Bujar Osmani ka karrierë të bujshme edhe pse ka gjëra që nuk janë të favorshme, ka skandale. Për shembull, në Ministrinë e Shëndetësisë të cilat kanë qenë në Prokurorinë Speciale të Maqedonisë por nuk ka një vendim, nuk e them”, tha Taravari në Rubikon të Klan Kosovës.
Tutje, ai e kritikoi Osmanin edhe për qasjen ndaj Kosovës, duke thënë se ai nuk ka punuar për forcimin e lidhjeve mes dy shteteve.
“Për shembull, interesi i tij (Bujar Osmanit) për Republikën e Kosovës, për ngjarjet në Banjskë, ministri i Punëve të Jashtme, shqiptar i Maqedonisë të mos ketë reagim zyrtar? Ndoshta edhe ka pasur reagim por unë nuk e kam parë. Vizitë zyrtare nuk e di a ka pasur në Prishtinë, nuk e di, ka mundësi që ka pasur, por mendoj se në relacionet… Prishtina-Shkupi-Tirana, posaçërisht ministrat të cilët janë shqiptarë, e kanë obligim intelektual por edhe moral edhe kombëtar që t’i sforcojnë lidhjet mes shteteve. Unë e kam përshtypjen se këtë nuk e ka bërë Osmani”, tha Taravari në Rubikon të Klan Kosovës.