Drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Hamza Ameti, ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja për hapjen e Qendrës Rajonale të Qendrës për Punë Sociale Shkup në Komunën e Çairit. Marrëveshja është nënshkruar së bashku me kryetarin e Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Sipas Ametit, hapja e kësaj qendre do t’u mundësojë banorëve të Çairit që kërkesat dhe çështjet e tyre sociale t’i adresojnë më afër vendbanimit, duke lehtësuar procedurat dhe duke mundësuar shërbime më të shpejta dhe më efikase.
“Një hap i rëndësishëm drejt shërbimeve sociale më të afërta dhe më efikase për qytetarët e Çairit!
Sot, së bashku me kryetarin e Komunës së Çairit, z. Izet Mexhiti, nënshkruam marrëveshjen për hapjen e Qendrës Rajonale të Qendrës për Punë Sociale Shkup në Komunën e Çairit.
Ky bashkëpunim institucional përfaqëson një hap konkret dhe me rëndësi të veçantë në përmirësimin e qasjes së qytetarëve në shërbimet sociale. Hapja e kësaj qendre do t’u mundësojë banorëve të Çairit që kërkesat, nevojat dhe çështjet e tyre sociale t’i adresojnë më afër vendbanimit, duke lehtësuar ndjeshëm procedurat dhe duke mundësuar një përgjigje më të shpejtë dhe më efikase nga institucionet.
Për ne, kjo marrëveshje nuk është vetëm një akt institucional, por një zotim për më shumë afërsi, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj qytetarëve.
Ky është vetëm fillimi. Na presin projekte edhe më të mëdha, iniciativa të rëndësishme dhe shumë punë konkrete në shërbim të qytetarëve të Çairit.
Vazhdojmë me përkushtim, bashkëpunim dhe vizion të qartë, sepse qytetarët meritojnë shërbime sociale më të qasshme, më cilësore dhe më humane.
Në shërbim të qytetarëve, me vepra konkrete!”, ka shkruar Hamza Ameti.
Hamza Ameti njofton për marrëveshjen: Çairi do të ketë Qendër Rajonale të Punës Sociale

Ndani këtë artikull
