Bashkësia Fetare Islame (BFI) ka siguruar leje ndërtimi për objektin e ri administrativ që do të ndërtohet në pronën e saj pranë Kalasë së Shkupit.
Sipas njoftimit të publikuar më 20 nëntor nga kreu i BFI-së, Shaqir ef. Fetai, objekti i ri do të shërbejë si seli qendrore e institucionit, duke bashkuar drejtoritë dhe njësitë administrative të Rijasetit.

Fetai e cilësoi sigurimin e lejes si një hap të rëndësishëm pas përpjekjeve disa vjeçare, ndërsa falënderoi institucionet shtetërore, Komunën Qendër, Qytetin e Shkupit, përfaqësuesit e koalicionit VLEN dhe ish-kreun e BFI-së, Sulejman ef. Rexhepi.
Përveç selisë së re, BFI ka paralajmëruar edhe ndërtimin e një salle sportive në Medresenë „Isa Beu“, në Kondovë të Sarajit.
Detaje për vlerën e investimeve dhe afatet e përfundimit të projekteve ende nuk janë bërë publike.

