Analisti politik Valon Bela ka reaguar pas vizitës së djeshme të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, deklaratat e Ramës kanë lënë më shumë pikëpyetje sesa përgjigje.
Bela thotë se Rama, duke deklaruar se nuk dëshiron të përzihet në çështjet e Maqedonisë së Veriut, edhe pse Kushtetuta e Shqipërisë e obligon të kujdeset për shqiptarët jashtë kufijve, në thelb ka zgjedhur të distancohet politikisht nga problemet dhe shqetësimet e BDI-së.
“Por çështja nuk është ndërhyrja në punët e brendshme të një shteti. Çështja është nëse problemet e shqiptarëve ekzistojnë apo jo dhe nëse ato meritojnë të artikulohen e të mbështeten politikisht”, shkruan Bela.
Sipas analistit, Rama i ka paraqitur si kërkesa të shpikura për konsum zgjedhor tri temat mbi të cilat BDI e kishte ndërtuar opozitarizmin e saj: legjitimitetin politik, statusin dhe zbatimin e gjuhës shqipe, si dhe përfaqësimin e drejtë etnik. Bela thotë se për Ramën këto nuk qenkan çështje që lidhen me barazinë, dinjitetin dhe funksionimin demokratik të shtetit.
“Të thuash se shqiptarët i gëzojnë të gjitha të drejtat, pa u përballur me realitetin dhe kërkesat e tyre, nuk do të thotë se problemet janë zgjidhur”, thekson ai.
Bela shton se Shqipëria nuk duhet të jetë palë në betejat partiake të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por as të kthehet në spektatore indiferente ndaj çështjeve të tyre kombëtare. Sipas tij, mosndërhyrja në politikën e brendshme të shtetit nuk duhet të nënkuptojë heshtje përballë kërkesave legjitime për barazi.
Ai e quan absurde sjelljen kontradiktore të Ramës. Sipas Belës, Rama i fton studentët nga Maqedonia e Veriut në Parlamentin e Shqipërisë që të artikulojnë kërkesat për barazi, ndërsa këtu deklaron se gjithçka është në rregull.
Bela e lidh qëndrimin e Ramës ndaj Ali Ahmetit dhe opozitarizmit të tij me momentin kur BDI-së, sipas tij, i kanoset përçarja më e madhe strukturore. Ai ngre edhe pyetjen nëse ky ishte një mesazh i Ramës që lidhet me Artan Grubin, të cilin, sipas analistit, BDI e la në harresë bashkë me betejën e tij me drejtësinë.

