Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka bërë të ditur se aktivitetet për shënimin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në Manastir, janë përmbyllur me koncertin “Mora udhë kah Manastiri”, ku morën pjesë tri ansamble shtetërore nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria.
Në këtë mbrëmje ishin të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti.
“Një ditë e mbushur me histori, emocion dhe krenari kombëtare, në qytetin ku mori udhë alfabeti ynë i përbashkët.
Aktivitetet e 22 Nëntorit i përmbyllëm me koncertin madhështor ‘Mora udhë kah Manastiri’, me pjesëmarrjen e tri ansambleve shtetërore të këngëve dhe valleve popullore nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria.
Në këtë mbrëmje të veçantë ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti.
Nga Shtëpia e Alfabetit deri te kënga dhe vallja shqiptare, sot Manastiri foli shqip, me historinë, kulturën dhe krenarinë tonë.
22 Nëntori na kujton se gjuha na bashkon, kultura na ruan dhe rrënjët tona na mbajnë gjithmonë bashkë!”, ka shkruar Bekim Sali.

