Zëvendësdrejtori i Kadastrës, Amet Ziberi, i kundërpërgjigjet Faton Ahmetit: Në dy konkurset e fundit janë punësuar 8 shqiptarë

2 Min. Leximi

Zëvendësdrejtori i Agjencisë së Kadastrës së Patundshmërive, Amet Ziberi, ka reaguar ndaj deklaratave të Faton Ahmetit nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), lidhur me punësimet dhe përfaqësimin e shqiptarëve në këtë institucion.

Ziberi i ka cilësuar deklaratat e Ahmetit si të pavërteta dhe tendencioze, duke theksuar se gjendja reale në institucion është ndryshe nga ajo që, sipas tij, po prezantohet në opinionin publik.

Sipas Ziberit, vetëm në dy konkurset e fundit të zhvilluara në Agjencinë e Kadastrës së Patundshmërive janë pranuar tetë shqiptarë, ndërsa përfaqësimi i përgjithshëm etnik në institucion është në përputhje me përqindjen e përfaqësimit të shqiptarëve.

Ai ka theksuar se një nivel i tillë i përfaqësimit nuk ishte arritur asnjëherë gjatë periudhës kur BDI-ja ishte pjesë e pushtetit.

„Faktet janë krejt ndryshe nga ato që Faton Ahmeti mundohet t’ia servirë opinionit. Vetëm në dy konkurset e fundit janë pranuar tetë shqiptarë, ndërsa përfaqësimi brenda institucionit është në përputhje me përqindjen e përfaqësimit etnik“, ka deklaruar Ziberi.

Zëvendësdrejtori i Kadastrës ka kërkuar që përpara se të bëhen akuza publike, përfaqësuesit e BDI-së të analizojnë rezultatet dhe bilancin e tyre gjatë viteve të qeverisjes.

„Dua të theksoj se një përfaqësim i tillë nuk është arritur asnjëherë gjatë kohës kur BDI-ja ishte në pushtet. Prandaj, para se të shpërndajnë akuza dhe të manipulojnë opinionin, le t’i shikojnë faktet dhe bilancin e tyre“, ka theksuar ai.

Në fund të reagimit, Ziberi ka nënvizuar se qytetarët meritojnë transparencë dhe informim të saktë për punësimet në institucionet shtetërore.

„Qytetarët meritojnë të vërtetën, jo trillime, mashtrime dhe propagandë politike. Punësimet dhe përfaqësimi nuk maten me deklarata politike, por me fakte dhe rezultate konkrete“, përfundon reagimi i zëvendësdrejtorit të Kadastrës, Amet Ziberi.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull