Kuvendi e fut në rend dite Ligjin për Specialen, 79 deputetë votojnë pro mocionit të PDK-së

2 Min. Leximi

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për përfshirjen në rendin e ditës të Projektligjit për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Nga 84 deputetë të pranishëm, 79 kanë votuar për mocionin e propozuar nga PDK-ja, ndërsa asnjë nuk ka votuar kundër apo nuk ka abstenuar. Kjo pikë është renditur si e 11-ta dhe e fundit në rendin e ditës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Kërkesën për përfshirjen e projektligjit në rend dite e bëri deputetja e PDK-së dhe ushtruesja e detyrës së kryetares së kësaj partie, Vlora Çitaku.

Ajo kërkoi që mocioni të miratohet dhe ligji të shqyrtohet në seancën e sotme, ndërsa paralajmëroi se PDK-ja të hënën do ta paraqesë një nismë të re ligjore për amendamentimin e tij. Çitaku u zotua se ndryshimet do të bëhen brenda dy javësh.

Gjatë deklarimeve të grupeve parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje tha se qëndrimi i saj për Dhomat e Specializuara mbetet i njëjtë, por se e mbështet përfshirjen e projektligjit në rend dite për shkak se PDK-ja ka besuar në këtë nismë.

“Megjithatë, duke qenë se PDK-ja ka besuar në këtë projektligj, ne i kemi dhënë mbështetjen tonë. Ne jemi dakord që të vendoset në rend të ditës, edhe pastaj do të diskutojmë”, tha shefja e e deputetëve të VV-së, Arbërie Nagavci.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës tha se e mban qëndrimin e njëjtë për këtë ligj, ashtu siç ishte deklaruar në seancën kur ai ishte propozuar për herë të parë.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, deklaroi se kjo parti e mbështet këtë pozicion.

Pas deklarimeve, Çitaku propozoi që pika të vendosej më herët në rend dite, por kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se ajo do të mbetet pika e fundit, duke kërkuar që të mos bëhen kërkesa të tjera për shkak të ndjeshmërisë së çështjes./Reporteri.net/

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull