Presidenti amerikan Donald Trump ka propozuar Kristi MekKormik nga Kalifornia për t’u emëruar ambasadore e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, transmetonPortalb.mk.
Në ueb-faqen e Shtëpisë së Bardhë janë publikuar të gjitha nominimet e Trumpit për ambasadorë amerikanë në disa vende të botës, të cilat tani duhet të miratohen nga Senati.
“Kristi MekKormik, nga Kalifornia, të emërohet ambasadore e jashtëzakonshme dhe fuqiplotë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut“, thuhet në propozimin e Shtëpisë së Bardhë.
Kristi MekKormik është juriste e diplomuar, e cila nga dhjetori i vitit 2014 deri në korrik të vitit 2026ka qenë anëtare e Komisionit Zgjedhor Amerikan.Gjatë mandatit të saj, ajo ka udhëhequr riorganizimin e Komisionit, ka iniciuar samite për të dhënat zgjedhore dhe qasjen në zgjedhje, si dhe ka marrë pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve në pothuajse të gjitha shtetet federale të SHBA-së dhe në disa vende të tjera.
Para emërimit në Komision, që nga viti 2006 ka punuar si këshilltare e lartë juridike në Sektorin për të Drejtat e Votës pranë Departamentit amerikan të Drejtësisë. Nga viti 2009 deri në vitin 2010 ka qenë e angazhuar edhe në Ambasadën e SHBA-së në Bagdad, ku ka punuar si eksperte amerikane për zgjedhjet, duke mbikëqyrur zgjedhjet kombëtare në Irak.
Më herët, ajo ka punuar në institucionet e drejtësisë në Virxhinia, përfshirë edhe si ndihmëse e prokurorit publik, ndërsa ka qenë pjesë edhe e ekipeve juridike që e kanë përfaqësuar këtë shtet federal para Gjykatës Supreme të SHBA-së.
Ushtruesja e detyrës së ambasadores së SHBA-së në Maqedoninë e Veriut që nga fillimi i këtij viti është Nikol Varns. Ajo e mori këtë detyrë pasi administrata e Donald Trumpit e tërhoqi nga posti ambasadoren e deriatëhershme, Angela Prajs Ageler, pas tre vjetësh të kaluara në Shkup, ku shërbeu si ambasadorja e dhjetë e SHBA-së.

