Kasami “shpalos” bilancin e mandatit: 43 projekte, 400 parkingje dhe mbi 840 milionë denarë investime në Tetovë!

2 Min. Leximi

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka prezantuar rezultatet e punës për vitin e parë të mandatit të dytë, duke renditur investimet infrastrukturore, projektet komunale dhe shërbimet e realizuara gjatë kësaj periudhe.

Sipas Kasamit, gjatë një viti janë realizuar 43 projekte infrastrukturore, me gjatësi mbi 34 kilometra dhe sipërfaqe prej 193.322 metrash katrorë, me vlerë të përgjithshme prej 646,7 milionë denarësh.

Ai bëri të ditur se 195,8 milionë denarë janë investuar në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimeve, ndërsa janë krijuar mbi 400 vendparkime të reja. Po ashtu, transportin publik të Tetovës e kanë shfrytëzuar afro 500 mijë qytetarë.

Në mesin e rezultateve të prezantuara, Kasami përmendi edhe uljen e borxhit të Komunës ndaj përmbaruesve, rritjen e pagave të zjarrfikësve për 30 për qind dhe rritjen prej 7 për qind të pagave të të punësuarve në Komunë, për tri vite radhazi.

Një pjesë e prezantimit iu kushtua edhe digjitalizimit të shërbimeve komunale përmes aplikacionit “TE KLIK”, i cili tashmë ka mbi 12 mijë përdorues, si dhe rregullimit të parqeve të qytetit pranë Xhamisë së Larme dhe Shkollës së Mesme Bujqësore.

Kasami gjithashtu theksoi se Komuna ka rikthyer në menaxhim tokat e uzurpuara, ndërsa aktualisht po punohet në ndërtimin e stadiumeve dhe dy pishinave.

Në fund, kryetari i Tetovës u shpreh se këto janë vetëm një pjesë e punëve të realizuara, duke theksuar se para komunës mbeten edhe shumë angazhime dhe projekte të tjera.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull