Trump hedh poshtë shqetësimet për procedurë shkarkimi: Demokratët do ta “shkatërronin” partinë nëse e kërkojnë

2 Min. Leximi

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, hodhi poshtë të mërkurën shqetësimet se Demokratët mund të nisin procedurë shkarkimi ndaj tij pas fitores në zgjedhjet e mesmandatit, raporton Anadolu.

Trump tha se nuk shqetësohet për këtë mundësi dhe paralajmëroi se një veprim i tillë do të kishte pasoja të kundërta politike për Demokratët.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë për herë të parë që nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve të mesmandatit, Trump tha se nuk është “aspak” i shqetësuar për mundësinë e nisjes së procedurës së shkarkimit të tij.

“Jo, jo, jo, aspak”, tha Trump kur u pyet nëse është i shqetësuar që Demokratët mund të ndërmerrnin një nismë për shkarkimin e tij.

“Mendoj se kjo do ta shkatërronte Partinë Demokratike, nëse do ta bënin një gjë të tillë, sepse do të ishte procedurë shkarkimi pa asnjë arsye. Për çfarë? Për faktin se kemi një vend të suksesshëm?”, shtoi ai.

Trump la të kuptohet se mund të ketë marrëdhënie të mira me Demokratët në Kongres, për sa kohë që ata nuk përpiqen të pengojnë administratën e tij.

“Me gjasë do të shkoj mirë me Demokratët, përveç nëse duan të bëjnë pengesa, por unë kam të drejtën e vetos”, tha ai.

Deklaratat e tij vijnë pasi Demokratët siguruan kontrollin e Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e mesmandatit, në një valë fitoresh të Demokratëve në mbarë vendin.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull