Doncic shkruan historinë në NBA, rekord unik në fitoren e Lakers

2 Min. Leximi

Vetëm 48 orë pas episodit me Stephen Curry-n, Luka Doncic u përgjigj në mënyrën më të mirë të mundshme, duke udhëhequr Los Angeles Lakers drejt fitores 131-125 ndaj Toronto Raptors me një paraqitje historike.

Ylli slloven realizoi 45 pikë dhe regjistroi një statistikë që nuk ishte arritur më parë nga asnjë basketbollist në historinë e NBA-së. Doncic u bë lojtari i parë që përfundon një ndeshje me të paktën 15 ‘rebound’, pesë asistime, pesë vjedhje topi dhe pesë trepikësha. Ai e mbylli takimin me 15 ‘rebound’, gjashtë asistime, pesë vjedhje topi dhe tetë goditje të sakta për tri pikë.

Dominimi i tij u duk që në pjesën e parë, kur kishte shënuar 24 pikë. Në atë moment, Doncic kishte vendosur një tjetër rekord, duke u bërë lojtari i parë në historinë e ligës që regjistron në një pjesë loje të paktën 20 pikë, pesë ‘rebound’, pesë vjedhje topi dhe pesë trepikësha.

Pas ndeshjes, slloveni theksoi se ka përmirësuar edhe aspektin defensiv. “Nuk jam mbrojtësi më i mirë në NBA, por mendoj se këtë vit kam bërë një hap përpara. Njerëzit mund të thonë çfarë të duan, por unë dhe skuadra ime e dimë se jam më i mirë”, deklaroi ai.

Kjo ishte ndeshja e 20-të në karrierën e tij me të paktën 40 pikë, ndërsa me fanellën e Lakers ka regjistruar paraqitjen e dytë me mbi 40 pikë, 10 ‘rebound’ dhe pesë vjedhje topi.

Doncic po kalon një formë të jashtëzakonshme në fillim të sezonit. Në shtatë ndeshjet e para ka mesatarisht 37.7 pikë për takim, duke kryesuar renditjen e shënuesve në NBA. Në katër ndeshjet e fundit ka shënuar mesatarisht 43.7 pikë, me 52 ndaj Utah, 41 ndaj Portland, 37 ndaj Golden State dhe 45 ndaj Torontos.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull