Durmishi nga Prishtina: Sipërmarrësia e grave duhet të bëhet forcë shtytëse e zhvillimit ekonomik rajona

5 Min. Leximi

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sot mori pjesë në konferencën rajonale “SHE RISES REGIONAL 2026” në Prishtinë, Republika e Kosovës, ku në panelin kushtuar avancimit të sipërmarrësisë së grave përmes bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe integrimit evropian, prezantoi masat e Qeverisë për mbështetjen e grave sipërmarrëse, rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e mundësive të reja për ndërlidhje ekonomike rajonale.

Në fjalimin e tij, ministri Durmishi theksoi se fuqizimi ekonomik i grave përbën një parakusht të rëndësishëm për rritje të qëndrueshme ekonomike, produktivitet më të lartë dhe shfrytëzim më të mirë të potencialit ekonomik të rajonit.

“Sipërmarrësia e grave nuk është vetëm çështje e mundësive të barabarta, por një forcë e rëndësishme shtytëse e rritjes ekonomike, investimeve dhe konkurrueshmërisë. Detyra jonë është të krijojmë kushte që gratë jo vetëm të themelojnë biznese, por edhe të zhvillojnë kompani të suksesshme, të investojnë, të eksportojnë dhe të krijojnë vende të reja pune”, theksoi Durmishi.

Ministri informoi se gjatë vitit 2026, përmes Programit për Zhvillimin e Sipërmarrësisë dhe Konkurrueshmërisë, janë siguruar 11,34 milionë denarë për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe të zejtarëve, me bashkëfinancim deri në 40 për qind të shpenzimeve për blerjen e makinerive dhe mjeteve të reja, përkatësisht deri në 200.000 denarë për përfitues.

Gjithashtu, janë siguruar 2 milionë denarë për zbatimin e standardeve ndërkombëtare në industrinë përpunuese, me mbështetje deri në 70 për qind të shpenzimeve, si dhe 5 milionë denarë për projekte të përbashkëta ndërmjet kompanive dhe universiteteve, me qëllim nxitjen e inovacioneve dhe zhvillimit teknologjik.

Durmishi theksoi se përmes Planit Operativ për Punësim për vitin 2026, për të cilin janë paraparë 2,39 miliardë denarë, mbështeten vetëpunësimi, sipërmarrësia dhe përvetësimi i aftësive të reja, duke u dhënë përparësi grave.

Theks i veçantë në konferencë iu kushtua mundësive për përfshirjen e kompanive në pronësi dhe nën drejtimin e grave në zinxhirët e furnizimit të kompanive të mëdha ndërkombëtare dhe investitorëve të huaj.

Ministri theksoi se Maqedonia e Veriut disponon një bazë të rëndësishme industriale dhe ka prani të investitorëve ndërkombëtarë, por se hapi i ardhshëm duhet të jetë ndërlidhja më e fuqishme e ndërmarrjeve vendore me zinxhirët globalë të prodhimit dhe eksportit.

Në këtë drejtim, ai përmendi masat për modernizimin teknologjik, certifikimin dhe zhvillimin e furnizuesve vendorë, si dhe Strategjinë Kombëtare për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme 2025–2030, e cila parasheh qasje më të mirë në financim, tranzicion digjital dhe të gjelbër, si dhe avancimin e sipërmarrësisë së grave.

Si propozim konkret për thellimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, Durmishi shprehu gatishmërinë për të iniciuar bisedime me homologët e tij nga rajoni për krijimin e një iniciative të përbashkët për ndërlidhjen ekonomike të grave sipërmarrëse.

Ai propozoi që gjatë vitit 2027 të shqyrtohet mundësia e krijimit të një programi pilot, i cili do të përfshinte një rrjet rajonal të kompanive të drejtuara nga gratë, mbështetje për rritjen e konkurrueshmërisë së tyre përmes digjitalizimit, certifikimit dhe mentorimit, si dhe takime të drejtpërdrejta biznesi me kompani të mëdha prodhuese dhe investitorë të huaj.

Sipas ministrit, një iniciativë e tillë do të mund të ndërlidhej me Tregun e Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian, duke u mundësuar grave sipërmarrëse qasje më të gjerë në investime dhe në tregjet evropiane.

“Është koha që bashkëpunimin rajonal ta shndërrojmë nga shkëmbimi i ideve në rezultate konkrete ekonomike. Sipërmarrësia e grave nuk duhet të jetë vetëm një temë e veçantë në konferencat ekonomike, por pjesë përbërëse e politikave industriale, investuese dhe zhvillimore të secilit prej vendeve tona”, porositi Durmishi.

Në konferencën rajonale morën pjesë edhe përfaqësues të lartë të institucioneve nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi, si dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, me fokus të përbashkët në fuqizimin ekonomik të grave dhe integrimin rajonal.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull