Aksion i madh policor në mbi 10 lokacione, nën hetim një spital privat dhe punonjës të Fondit të Sigurimit Shëndetësor

1 Min. Leximi

Një aksion i ri policor kundër krimit të organizuar është duke u zhvilluar këtë mëngjes në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë. Sipas informacioneve jozyrtare, pjesëtarë të Departamentit për Krim të Organizuar pranë Byrosë për Siguri Publike po kryejnë bastisje në më shumë se 10 lokacione.

Sipas informacioneve fillestare, nën hetim janë persona përgjegjës nga një spital privat, si dhe punonjës të Fondit të Sigurimit Shëndetësore. Në mesin e personave që përmenden në informacionet jozyrtare është edhe ish-drejtori i Fondit, Den Donçev.
Ata dyshohen për disa vepra penale, përfshirë keqpërdorimin e pozitës dhe autorizimit zyrtar, punën e pandërgjegjshme në shërbim, mashtrimin dhe pastrimin e parave.

Sipas të njëjtave informacione, dëmi ndaj buxhetit tejkalon 1.5 milionë euro, ndërsa përfitimi i kundërligjshëm material për spitalin vlerësohet në rreth 4 milionë euro. Të dëmtuar dyshohet se janë edhe një numër i madh pacientësh që janë trajtuar në këtë spital.
Detaje të tjera për aksionin priten gjatë ditës.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull