Protestuesit sulmojnë institucionet, gurë dhe shishe molotovi drejt Kryeministrisë

2 Min. Leximi

Është përshkallëzuar në akte dhune protesta në Tiranë, nisur në orët e paradites para Ministrisë së Arsimit.

Gjatë orëve të pasdites protestuesit janë shpërndarë në qendër të kryeqytetit ku kanë sulmuar me gur dhe zjarr Ministrinë e Financave dhe më pas janë zhvendosur të gjithë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Protestuesit kanë nisur të qëllojnë me gur dhe molotov në drejtim të Kryeministrisë ndërsa forca të shumta policie janë përgjigjur duke hedhur ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Edhe gjimnazistët në protestë

Pjesë e lëvizjes janë bërë edhe nxënësit e gjimnazit “Partizani” në Tiranë, të cilët kanë bojkotuar mësimin. Sipas raportimeve, disa prej tyre kanë bllokuar përkohësisht rrugën pranë shkollës me kosha mbeturinash, të cilëve u kanë vënë flakën.

Reagimi i delegacionit të BE:

Delegacioni i BE në Shqipëri ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me protestën e studentëve që për të dytën ditë po vijon para Ministrisë së Arsimit. Në reagim, delegacioni i BE ka komentuar edhe lidhur me dhunën e regjistruar teksa ka shprehur shqetësim për përshkallëzimin.

Delegacioni thekson se veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore të protestuesve dhe gazetarëve. Gjithashtu u ka bëre thirrje palëve që të ulin tensionet.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull