Durmishi: Garantojmë pagat për pensionistët dhe sektorin publik, inflacioni është në gjendje stabile

2 Min. Leximi

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi në intervistën e ditës për Alsat-M, ka deklaruar se qytetarët që punojnë në sektorin publik dhe pensionistët mund të jenë të sigurt se pagat dhe pensionet do të paguhen deri në fund të vitit.

“Edhe ata që punojnë në sektorin publik dhe pensionistët ju garantojmë se deri në fund të vitit do t’i marrin pagat e tyre. Buxheti është në gjendje stabile”, tha Durmishi.

Duke folur për gjendjen ekonomike, ministri tha se është ruajtur stabiliteti edhe sa i përket inflacionit.

“Kemi mbajtur në gjendje stabile edhe inflacionin. Nga FMN jemi vlerësuar si një prej tre qeverive në rajon që kemi marrë hapa dhe vendime të suksesshme”, deklaroi Durmishi.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, inflacioni aktualisht është 2.6 për qind. Durmishi tha se inflacioni vazhdon të jetë i pranishëm, por presionet inflacioniste janë ulur ndjeshëm krahasuar me periudhat e mëparshme.

“ESHS tregon se inflacioni është 2.6 për qind. Ka inflacion, por presionin të cilin e kemi pasur më përpara në fillim të mandatit, inflacioni shkonte deri në 4 për qind e më lartë, ndërsa para tre ose katër viteve edhe deri në 18 për qind. Hapat që kemi ndërmarrë e kanë sjellë gjendjen në stabilitet”, u shpreh ai.

Durmishi theksoi se masat e ndërmarra nga institucionet kanë pasur për qëllim ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe zbutjen e presioneve mbi qytetarët dhe ekonominë.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull