Sulmohej rregullisht nga Kurti, shkarkohet kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj

3 Min. Leximi

Blerim Isufaj është shkarkuar nga posti i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Ky vendim është marrë sot në mbledhjen e Këshillit Prokurorial i Kosovës. Pro shkarkimit të Isufajt kanë votuar 6 anëtarë, kurse vetëm një e ka kundërshtuar shkarkimin e tij.

Isfuaj ka qenë njeriu më i sulmuar në sistemin e drejtësisë nga kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarët e lartë të VV-së.

Kjo për faktin se Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuza për aferat më të mëdha korruptive të pushtetit të VV-së. Kjo prokurori ka ngritur aktakuzë për ish-kreshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili ishte emëruar nga Qeveria Kurti, dhe aferën me rezervat shtetërore.

Sulmet e vazhdueshme të Albin Kurtit kishte bërë që ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të mos e dekretonte Isufajt për kryeprokurori të Shtetit në tetor të vitit 2023.

Së fundi, Isufajt presioni i ishte shtuar edhe Këshillit Prokurorial i Kosovës. Në mbledhjen e Këshilli Prokurorial i Kosovës, e cila ishte mbajtur në fillim të muajit shtator, Isufaj ishte ftuar të raportonte për punën e Prokurorisë Speciale gjatë vitit 2025.

Edhe në këtë mbledhje ishte vërejtur presioni i anëtareve të KPK-së ndaj prokurorit Isufaj.

Pas raportimit, anëtarët e KPK-së i kanë drejtuar Isufajt një sërë pyetjesh dhe kritikash për punën e PSRK-së, të cilat dukeshin tendencioze. Në një moment, kryeprokurori e ka krahasuar mënyrën e pyetjeve me një komision hetimor.

“S’po më duket që jam tu raportu para KPK-së, po sikur para një komisioni hetimor”, ka deklaruar Isufaj.

Pas raportimit, anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, kishte thënë nuk kishte marrë përgjigje të kënaqshme në pyetjet që ia kishte drejtuar Isufajt, veçanërisht lidhur me zbatimin e ndarjes elektronike të lëndëve.

Në fund të mbledhjes, nuk ishte votuar raporti i Blerim Isufajt.

Kundër raportit kishin votuar Dardan Vuniqi, Elza Bajrami-Kastrati, Arlinda Muqa dhe Visar Krasniqi, ndërsa pro raportit kishin votuar kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, Kryeprokurori i Shtetit Zejnullah Gashi dhe anëtari Milot Krasniqi.

Edhe në mbledhjen e djeshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës është parë qasja negative e këtij institucioni ndaj prokurorit Isufaj.

Gjatë prezantimit të raportit krahasimor lidhur me efikasitetin e prokurorive për zgjidhjen e lëndëve 2023-2025, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ishte renditur e fundit.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull