Schieder: Shqipëria pararendëse e Ballkanit Perëndimor për integrimin në BE

3 Min. Leximi

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder, ka vlerësuar progresin e vendit në procesin e integrimit evropian, duke deklaruar se Shqipëria ndodhet në një fazë të avancuar të negociatave me Bashkimin Evropian.

Duke folur në Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, që po zhvillohet në Tiranë, Schieder tha se synon të japë kontributin e tij për përmbylljen e procesit të integrimit.

Në konferencë marrin pjesë përfaqësues të institucioneve shqiptare, Parlamentit Evropian dhe parlamenteve të vendeve të tjera evropiane.

“Shqipëria është një vend i bukur, me det dhe male. Dua të jap kontributin tim për të finalizuar këtë moment historik”, u shpreh Schieder.

Raportuesi evropian tha se, pavarësisht kohëzgjatjes së procesit, rëndësi kanë objektivi dhe ritmi i reformave.

Sipas tij, Shqipëria duhet të shfrytëzojë momentin aktual për të avancuar drejt anëtarësimit në BE.

“Shqipëria është pararendëse e Ballkanit Perëndimor për t’u integruar në BE”, deklaroi Schieder, duke iu referuar edhe vlerësimeve të komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos.

Ai u ndal edhe te raporti i këtij viti për Shqipërinë, duke theksuar se ai është miratuar me vullnet dhe se procesi i integrimit duhet të shoqërohet me vëmendje ndaj të gjitha fushave të reformave.

“Duhet të shohim të gjitha çështjet, shtetin e së drejtës, ku Shqipëria ndërmori procesin e vettingut”, tha Schieder, duke përmendur edhe sistemet sociale, shëndetësinë dhe politikën e jashtme, ku sipas tij Shqipëria është në përputhje me qëndrimet e BE-së.

Raportuesi për Shqipërinë theksoi se vendi ndodhet tashmë në fazën e fundit të procesit, ndërsa mbeten ende disa kapituj për t’u përmbyllur.

“Kryenegociatori është me ne këtu, tani ndodhemi në fazën e fundit të garës. Ka ende disa kapituj që duhen mbyllur. Shqipëria ka qenë eprore”, u shpreh Schieder.

Sipas tij, fokusi nuk duhet të jetë vetëm te hapja e kapitujve, por te përfundimi i tyre dhe zbatimi konkret i reformave.

“Nuk është çështja që të hapen kapitujt, por duhen mbyllur. Këto reforma duhet të mbërrijnë te shoqëria. Duhet të formësohet e ardhmja e vendit”, deklaroi ai.

Schieder shtoi se Shqipëria ka ende kohë për të përmbushur hapat e mbetur të procesit, ndërsa theksoi se përparimi drejt anëtarësimit nuk varet vetëm nga puna e institucioneve shqiptare, por edhe nga mënyra se si Bashkimi Evropian do ta trajtojë procesin e zgjerimit.

“Shqipëria meriton që të jetë anëtare e BE-së. Kemi parë që Shqipëria dhe Kuvendi e kanë ndërmarrë këtë sfidë mjaft të fortë, por në fund fare është çështje e BE-së se si e trajton. Nuk është thjesht çështje e Brukselit dhe e Shqipërisë”, përfundoi raportuesi evropian.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull