Nga 780 vetura elektrike të importuara në Kosovë gjatë tetë muajve të parë të këtij viti, 665 erdhën nga një shtet i vetëm: Kina.
Katër vjet më parë, nga Kina ishin importuar vetëm 13 vetura elektrike.
Brenda kësaj periudhe, jo vetëm që është shumëfishuar numri i veturave elektrike që hyjnë në Kosovë, por ka ndryshuar edhe prejardhja e tyre: Gjermania ka humbur primatin, ndërsa Kina është bërë burimi kryesor.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, nga janari deri në gusht të vitit 2026 janë importuar 780 vetura elektrike – 615 më shumë sesa gjatë gjithë vitit 2022.
Nga Gjermania drejt Kinës
Ndryshimi është edhe më i dukshëm kur shihet prejardhja e veturave.
Në vitin 2022, Gjermania ishte burimi kryesor i veturave elektrike që importoheshin në Kosovë. Atë vit, prej saj erdhën 49 të tilla, ndërsa nga Kina vetëm 13.
Katër vjet më vonë, raporti ka ndryshuar rrënjësisht.
Në sasi më të vogla, vetura elektrike importohen edhe nga vende të tjera.
Rritja e numrit të veturave elektrike reflektohet edhe në shumën e parave që shpenzohen për to.
Vetëm gjatë tetë muajve të parë të këtij viti, vlera e veturave elektrike të importuara arriti në mbi 11.5 milionë euro – rreth gjysmë milioni euro më shumë sesa gjatë gjithë vitit 2025.
Krahasuar me vitin 2022, vlera e importeve është më shumë se dyfishuar.
Të përdorurat tejkalojnë të rejat
Një tjetër ndryshim po ndodh edhe brenda vetë tregut të veturave elektrike.
Në vitin 2022, pothuajse nëntë në dhjetë vetura elektrike të importuara ishin të reja: 145 të reja kundrejt vetëm 20 të përdorurave.
Katër vjet më vonë, trendi është përmbysur.
Pse po rritet interesimi?
Onufër Berisha, shitës i veturave elektrike në kompaninë EVM në Kosovë, thotë se interesimi i qytetarëve është rritur veçanërisht për modelet e prodhuesit kinez BYD.
Sipas tij, një nga arsyet kryesore është kostoja e përdorimit.
“Qytetarët janë shumë të interesuar, sidomos kur merret parasysh kostoja e mirëmbajtjes dhe operimit. Janë shumë më të lira sesa ato me motor me djegie të brendshme. Është një model i BYD-it që kërkohet shumë. Gjatë natës, me tarifën e lirë, mbushet me energji për rreth tri euro, ndërsa gjatë ditës për rreth gjashtë euro, dhe me një mbushje mund të kalojë më shumë se 400 kilometra”, thotë Berisha për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, edhe shpenzimet e mirëmbajtjes dhe servisimit janë më të ulëta.
Të dhënat e Kosovës nuk tregojnë se pse importuesit po orientohen gjithnjë e më shumë drejt Kinës. Por, rritja po ndodh në kohën kur prodhuesit kinezë kanë fituar avantazh në koston e prodhimit të veturave elektrike.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) thotë se çmimet e baterive ranë më shpejt në Kinë sesa në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2024.
Sipas saj, konkurrenca e fortë, rritja e efikasitetit të prodhimit dhe integrimi i zinxhirit të furnizimit kanë ndihmuar në uljen më të shpejtë të kostove në Kinë dhe në rritjen e avantazhit konkurrues të prodhuesve kinezë të veturave elektrike dhe baterive.
IEA vlerëson se, në vitin 2024, afër dy të tretate veturave elektrike me bateri të shitura në Kinë kushtonin më pak se modelet ekuivalente me motorë me djegie të brendshme. (REL)

