Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, më 16 dhe 17 shtator do të qëndrojë për vizitë në Tirolin e Jugut, Itali, ku pritet të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë të fushës.
Siç njoftojnë nga BDI, në fokus të vizitës do të jetë modeli i Tirolit të Jugut, i konsideruar si një nga modelet më të njohura evropiane të bashkëqeverisjes dhe mbrojtjes së komuniteteve gjuhësore.
Ky sistem garanton përdorimin e gjuhëve në institucione, përfaqësimin proporcional në administratën publike, pjesëmarrjen e komuniteteve në procesin e vendimmarrjes, si dhe mekanizma vetoje në rastet kur preken interesat themelore të një grupi gjuhësor.
Nga BDI theksojnë se një nga veçoritë kryesore të këtij modeli është zbatimi konkret i parimit të proporcionalitetit, jo vetëm në nivel politik, por edhe gjatë punësimeve në sektorin publik dhe shpërndarjes së një pjese të burimeve publike.
Gjatë vizitës, Osmani do të njihet nga afër me funksionimin praktik të këtyre mekanizmave dhe me përvojat që mund të jenë relevante për forcimin e garancive që burojnë nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit në Maqedoninë e Veriut.

