Dy persona kanë humbur jetën dhe tre të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë në një aksident të rëndë komunikacioni që ka ndodhur rreth orës 2:00 pas mesnate në rrugën komunale Ilinden–Miladinovci, pranë bazës policore Brest afër Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit.

​Sipas Prokurorisë Themelore Publike Shkup, janë përplasur drejtpërdrejt një automjet “Opel Corsa” me targa të Kumanovës, i drejtuar nga një 19-vjeçar nga Kumanova, dhe një “Hyundai i30”, i drejtuar nga një 51-vjeçar, banor i fshatit Marino.

​Në vendngjarje kanë ndërruar jetë 51-vjeçari që drejtonte mjetin “Hyundai” dhe djali i tij 18-vjeçar. Të lënduar rëndë kanë mbetur vajza 18-vjeçare e shoferit të ndërruar jetë, si dhe 19-vjeçari që drejtonte “Opel Corsa”-n së bashku me pasagjerin e tij të së njëjtës moshe. Të dy janë transportuar në spital në gjendje kritike për jetën.
​Këqyrjen e vendit të ngjarjes e kanë kryer prokurori kujdestar nga PTP Shkup, një ekspert dhe ekipet e MPB-së.

Prokurori publik ka lëshuar urdhëresë për obduksion të trupave të të ndjerëve, ndërsa po ndërmerren veprime shtesë për përcaktimin e shkaqeve të këtij aksidenti.