Kontrabandë në kufirin Maqedoni e Veriut-Kosovë, sekuestrohen mallra në vlerë 20 mijë euro

1 Min. Leximi

Një automjet pa targa është ndaluar në brezin kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, nën dyshimin se po transportonte mallra të kontrabanduara. Rasti është evidentuar më 9 shtator nga Policia e Kosovës, e cila ka ndaluar automjetin dhe ka kontrolluar mallrat që ndodheshin brenda tij.
Sipas Policisë së Kosovës, në automjet janë gjetur produkte të ndryshme, përfshirë susam, qumësht pluhur, boca gazi, poqa elektrikë dhe çokollata.

“Vlera e tyre, sipas tregut, sillet rreth 20 mijë euro, pa llogaritur akcizat dhe shmangiet doganore”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Drejtuesi i automjetit, një shtetas kosovar, nuk kishte dokumente për prejardhjen e mallrave.

Ai, së bashku me automjetin, është shoqëruar në Stacionin Policor në Kllokot për procedim të mëtejmë.
Ndërkohë, në konsultim me prokurorin, mallrat e sekuestruara i janë dorëzuar Doganës së Kosovës.

Rasti po hetohet për veprën e dyshuar të kontrabandimit me mallra.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull