Këshilltarja e VLEN-it në Këshillin e Qytetit të Shkupit, Sanije Duraku Kasami, ka reaguar pasi pesë këshilltarët e koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), pjesë e opozitës, nuk e kanë votuar Propozim-Programin për punën e SHMQSH “Zef Lush Marku” për vitin shkollor 2026/2027.
Sipas Duraku Kasamit, pesë këshilltarët jo vetëm që nuk kanë votuar, por janë larguar nga salla pikërisht në momentin kur kjo pikë ka ardhur në rend dite.
“Zef Lush Marku” është një nga shkollat më të mëdha shqiptare në Shkup. Pra, bëhet fjalë për nxënës, profesorë, prindër dhe për punën e një shkolle që prek drejtpërdrejt shumë familje shqiptare”, ka shkruar Duraku Kasami.
Ajo ka kritikuar opozitën për, siç shprehet, deklaratat e vazhdueshme se punon për interesat e shqiptarëve.
“Kur je në opozitë është shumë e lehtë të flasësh, të akuzosh dhe të bësh politikë me çdo gjë. Por kur vjen momenti të ulesh në sallë, të marrësh përgjegjësi dhe të votosh për një shkollë shqiptare, ju zgjodhët të dilni. Të pestë”, thuhet në reagimin e saj.
Duraku Kasami thotë se largimi i këshilltarëve është i dokumentuar dhe kërkon nga ata të japin një përgjigje se përse nuk e kanë mbështetur programin e shkollës.
“Prandaj, kolegë të AKI-së, para se të vazhdoni të na tregoni se kush punon e kush nuk punon për shqiptarët, përgjigjuni një gjëje shumë të thjeshtë: Pse nuk e votuat programin e ‘Zef Lush Markut’?”, pyet ajo.
Në fund, këshilltarja e VLEN-it thekson se çështjet që lidhen me shkollat dhe nxënësit nuk duhet të përdoren për përplasje politike.
“Ne nuk jemi këtu për të bërë politikë me shkollat dhe fëmijët. Ju, nëse doni të bëni politikë, bëjeni. Por mos e bëni në kurriz të nxënësve”, përfundon Duraku Kasami.

