Vazhdon gjykimi kundër Grubit në rastin “Lotaria Shtetërore”, seancë e re në Gjykatën Penale

2 Min. Leximi

Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot pritet të vazhdojë procesi gjyqësor për keqpërdorimet e pretenduara në SHA “Lotaria Shtetërore”, në të cilin një nga të akuzuarit është edhe ish-zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.

Në seancën e mëparshme, Gjykata e shtyu shqyrtimin kryesor me arsyetimin se të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre duhet t’u mundësohet kohë shtesë për të shqyrtuar materialin dëshmues dhe për përgatitjen e mbrojtjes.

Gjykatësja Biljana Shuplinovska-Jovevski atëherë theksoi se të akuzuarit duhet të kenë kohë të mjaftueshme për t’u njohur me provat e dorëzuara dhe për të propozuar provat e tyre për vazhdimin e procedurës.

Në këtë lëndë, aktakuzën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, të cilët kanë paralajmëruar administrimin e 231 provave materiale, ekspertizave, si dhe marrjen në pyetje të shtatë dëshmitarëve.

Sipas propozim-akuzës së Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, Artan Grubi dhe shtatë persona të tjerë akuzohen se gjatë viteve 2023 dhe 2024, duke tejkaluar kompetencat zyrtare, i kanë shkaktuar dëm SHA “Lotaria Shtetërore” në vlerë prej mbi 507 milionë denarësh. Të akuzuarit ngarkohen me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autorizimeve zyrtare.

I akuzuari i parë, ish-drejtori i “Lotarisë Shtetërore”, Perparim Bajrami, vazhdon të jetë i pakapshëm për organet e ndjekjes penale, ndërsa për Grubin Prokuroria kërkon vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull