Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, i është përgjigjur deklaratave të Bilall Kasamit lidhur me zërat për një përfshirje të mundshme të tij në VLEN.
Limani ka mohuar se ka bisedime apo negociata për kalimin e tij në VLEN, duke theksuar se bashkëpunimi me kolegët që ushtrojnë të njëjtin funksion do të vazhdojë të jetë në nivelin e duhur.
“Bashkëpunimi dhe respekti me të gjithë kolegët që bartin të njëjtin funksion do të jenë gjithmonë në nivelin e duhur. Sa u përket çështjeve të tjera, përveç bisedave kolegiale që lidhen me bashkëpunimin ndërkomunal, në kuadër të Rajonit të Pollogut apo programeve qeveritare, nuk ka asnjë lloj bisede apo negocimi tjetër në vazhdim”, ka deklaruar Limani.
Ai ka theksuar se vazhdon të jetë pjesë e Aleancës për Shqiptarët, duke e cilësuar atë si parti autonome.
“Jam anëtar i Aleancës për Shqiptarët, e cila mbetet parti autonome, dhe nuk ekziston asnjë zhvillim që do të sugjeronte bisedime apo rikonfigurime të skenës politike”, është shprehur Limani.
Limani ka bërë të ditur gjithashtu se fokusi i tij aktual mbetet te përgatitjet për Kongresin e Aleancës për Shqiptarët dhe puna në Komunën e Gostivarit.
“Në të njëjtën kohë, vazhdojmë përgatitjet për Kongresin e Aleancës për Shqiptarët, i cili do të mbahet së shpejti. Fokusi im mbetet në mbarëvajtjen e punëve në Komunën e Gostivarit, realizimin e projekteve dhe shërbimin ndaj qytetarëve, larg spekulimeve mediatike që nuk kanë mbështetje në fakte”, ka përfunduar Limani

