NJË VIT PRITJE PËR PARATË E SHTETIT! Rritet borxhi ndaj personave me aftësi të kufizuara

5 Min. Leximi

Pagesa e fundit është bërë për muajin korrik të vitit 2025, ndërsa mjetet janë paguar në janar të vitit 2026. Që atëherë, pretendohet se nuk është realizuar pagesë e re, pavarësisht se detyrimet për kontributet vazhdojnë të krijohen dhe të paguhen

Anëmsha SHABANI

Shkup, 4 shtator – Pagesat për rimbursimin e kontributeve për punonjësit me aftësi të kufizuara në shoqëritë mbrojtëse vazhdojnë të vonohen, duke krijuar një barrë shtesë financiare për një kategori që përmes kësaj skeme duhet të ketë mbështetje për punësim dhe pavarësi ekonomike. Bëhet fjalë për mjete që lidhen me kontributet nga sigurimi i detyrueshëm social për pagat e punonjësve, ndërsa vonesat në pagesa nënkuptojnë se shpenzimet mbeten të pambuluara për periudha të gjata, shkruan gazeta KOHA.

Sipas të dhënave të bëra publike nga partia opozita E Majta, pagesa e fundit është bërë për muajin korrik të vitit 2025, ndërsa mjetet janë paguar në janar të vitit 2026. Që atëherë, pretendohet se nuk është realizuar pagesë e re, pavarësisht se detyrimet për kontributet vazhdojnë të krijohen dhe të paguhen.

Nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë për gazetën KOHA sqarojnë se bëhet fjalë për masën për rimbursimin e kontributeve nga sigurimi i detyrueshëm social për pagat e punonjësve në shoqëritë mbrojtëse. Sipas tyre, masa ka për qëllim të mbështesë punësimin e personave me aftësi të kufizuara dhe integrimin e tyre ekonomik e social.

“Pagesa e fondeve mbi këtë bazë pritet të realizohet në kohën më të shkurtër të mundshme, duke pasur parasysh se është bërë përgatitja e nevojshme nga Ministria dhe është paraqitur për realizimin e pagesës”, thonë nga atje.

Megjithatë, nga Ministria nuk bëhet e ditur një datë konkrete se kur pritet të realizohet pagesa, ndërsa nuk janë dhënë as të dhëna për shumën e detyrimeve të mbetura apo numrin e përfituesve që presin mjetet. Njëkohësisht bëjnë dallim mes kësaj mase dhe të drejtave monetare që personat me aftësi të kufizuara i realizojnë përmes sistemit të mbrojtjes sociale. “Të drejtat e personave me aftësi të kufizuara që ushtrohen përmes sistemit të mbrojtjes sociale paguhen rregullisht dhe pa vonesë. Që nga korriku 2026, këto të drejta janë paguar plotësisht”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Çështja është ngritur edhe nga E Majta, nga ku thonë se personat me aftësi të kufizuara që janë të vetëpunësuar kanë pritur për një vit për fondet që u takojnë. Sipas tyre, vonesat nuk janë vetëm problem i një pagese të vonuar, por krijojnë kosto shtesë për njerëzit që vazhdojnë të punojnë dhe të përmbushin rregullisht detyrimet e tyre.

“Është një sistem mbështetjeje financiare përmes të cilit një person me aftësi të kufizuara që është i vetëpunësuar i mundësohet të paguajë kontributet e pensionit dhe të sigurimit shëndetësor, dhe më pas këto fonde rimbursohen përmes Fondit Special për Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara. Në vend që aftësia e kufizuar të jetë një pengesë shtesë për pavarësinë ekonomike, mekanizmi duhet t’i mundësojë personit të punojë, të gjenerojë të ardhura dhe të sigurojë në mënyrë të pavarur jetesën e tij. Kur shteti ndalon së paguari fondet, i gjithë kostoja mbetet tek personi që tashmë i ka paguar detyrimet”, thonë nga E Majta.

Nga kjo parti i referohen edhe ribalancimit të buxhetit të vitit 2026, duke theksuar se janë paraparë 300 milionë denarë për detyrime të papaguara nga viti 2025.

“Në korrik të vitit 2026, me ribalancimin e buxhetit, Qeveria ende siguron 300 milionë denarë për detyrimet e papaguara nga viti 2025. Pra, në vitin 2026, shteti ende siguron fonde për të mbuluar detyrimet nga viti i kaluar. Dhe edhe pas miratimit të ribalancimit të buxhetit, ende nuk ka pagesë deri në fund të gushtit”, theksoi partia, duke shtuar 300 milionë denarët nuk e zgjidhin tërësisht problemin, pasi përveç detyrimeve të mbetura nga viti 2025, gjatë vitit 2026 janë krijuar edhe detyrime të reja.

Ndryshe, përtej përplasjes politike, mbetet problemi konkret i pagesave të vonuara. Përfituesit e kësaj mase vazhdojnë të presin mjetet, ndërsa institucioni përgjegjës thotë se përgatitjet për pagesën janë bërë dhe se ajo pritet të realizohet së shpejti, pa përcaktuar një afat konkret. Kjo e lë ende të hapur pyetjen se kur do të mbyllen detyrimet e prapambetura dhe nëse skema do të mund të funksionojë me pagesa të rregullta në vazhdim. (koha.mk)

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull